Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në Tiranë u mbajt konferenca ndërparlamentare mes përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë dhe atyre të Parlamentit Europian. *I pranishëm në konferencë ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se shpreson që Europa nuk do ta lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, ndërsa mes batutave nënvizoi domosdoshmërinë që vendet kandidate të jenë në njëfarë mënyre pjesë e tryezës së BE edhe pa të drejtë vetoje. *Nga ana tjetër, ambasadorja e BE në Tiranë tha se Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në BE, por nënvizoi domosdoshmërinë e cilësisë në vendimet që Kuvendit merr.
"Duhet cilësi në marrjen e vendimeve", ambasadorja e BE: Rezultati i reformave duhet të ndihet tek qytetarët

Gjatë fjalës së saj në konferencën e mbajtur sot në konferencën Ndërparlamentare, ambasadorja e BE në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa tha se kalendari i ngjeshur për vendimet në Kuvend nuk mund të vijë në dëm të cilësisë duke nënvizuar rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare dhe gjithëpërfshirjen e palëve politike.
“Faza ku gjendet Shqipëria do të kërkojë që institucionet të kërkojnë në mënyrë të përhershme pavarësi. Çfarëdo lloj vlerësimi për gjendjen ku ekziston një demokraci nuk bëhet vetëm me zgjedhjet, por edhe si e luan rolin e vet Kuvendi, transparenca, vendimmarrja dhe debati politik. Zëri i qytetarëve ofron gjithashtu hapësirën ku mund të shprehen dhe debatohen vendimet politike. Kalendari ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë, mbikëqyrjes parlamentare dhe ndaj është kaq e rëndësishme qasja dhe gjithëpërfshirja. Anëtarësimi merr kuptim vetëm kur qytetarët kuptojnë çfarë do të thotë vërtet BE për jetën e tyre të përditshme”, tha Moreira de Sousa.
Më tej ajo shtoi se duhet që përfitimi i reformave të ndihet tek qytetarët.
“Detyra që mbetet është që shndërrimi të vazhdojë, përfitimet e reformave të ndihen nga qytetarët. Destinacioni është më shumë se anëtarësim, por një Europë më e bashkuar dhe rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes, si dhe një Shqipëri që është e gatshme të kontribuojë në BE”- theksoi ajo. Versus.al
"Aman mos ua përmend Greqinë gjermanëve", Rama ndërpret raportuesin e PE: Më duhet të iki se kam takim

Menjëherë sapo Andreas Schieder, raportuesi i PE për Shqipërinë mori fjalën e tij në konferencën e sotme, kryeministri Edi Rama u rikthye sërish në podium duke kërkuar ndjesë sepse i duhej të largohej për një takim me disa zyrtarë gjermanë.
Teksa ndërhyri papritmas gjatë fjalës së Schieder, Rama bëri edhe batutë duke përmendur humbjen e Gjermanisë përballë Greqisë mbrëmjen e djeshme në Ligën e Kombeve.
“Kërkoj ndjesë se kam një takim me gjermanët dhe më duhet të iki se nuk i lë dot të presin kaq shumë. Më kanë thënë se është shumë i rëndësishëm. Aman mos ua përmend Greqinë gjermanëve sot sepse Gjermania humbi dje 1-0 përballë Greqisë. Po ja pra më në fund paska ardhur koha e Greqisë të fitonte”- tha Rama. Versus.al
“Ursula ka 7 fëmijë, nuk i tha vajzës shko e rri me gangsterin rus”, Rama ‘shkrin së qeshuri’ Sara Milen

Në një tentativë për të bërë batutë me procesin e integrimit për në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama mori si shembull presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duke thënë se njëjtë si 7 fëmijët e saj, as vendet kandidate nuk duhet të lihen jashtë tryezës së Evropës duke lënë të kuptohet edhe rreziku nga ndikimi rus në rajonin tonë.
Kjo batutë e Ramës shkaktoi të qeshura tek deputetja socialiste Sara Mila.
“Shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje tek cepi se tani mami është pak e zënë. Ajo nuk i tha djalit shko e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit. Jo! Të gjithë ishin rreth tavolinës, por patjetër që të gjithë që ishin aty në tavolinë nuk kishin të njëjtën vlerë zëri apo fjale. Madje dhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë apo jo?”- tha Rama mes të tjerash duke argumentuar se vendeve kandidate duhet t’u jepet mundësia që të ulen në të njëjtën tryezë edhe nëse nuk kanë të drejtë vetoje. Versus.al
“Flamingot nuk janë aq të bukur sa në foto”, Rama-europianëve: Shqipëria ka bërë përparim të madh

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në konferencën ndërparlamentare mes përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe atyre të Parlamentit Europian.
Ai e nisi fjalën e tij duke komentuar sërish protestat masive të qytetarëve që njihen si “Revolucioni flamingo”. Rama tha se protestuesit nuk janë aq ‘të bukur sa në foto’ dhe shtoi se tanimë në shesh nuk mund të gjenden shumë protestues nga ata të cilët morën pjesë në protestat masive.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë një përparim të madh në dekadën e fundit duke thënë se njerëzit mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
“Besoj se nuk dëshironi të lexoj fjalimin tim të gjatë lidhur me sa shkëlqyeshëm po ecin gjërat në Shqipëri. kur flasim për këtë moment në Shqipëri, ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot edhe pse nuk jam i bindur nëse do gjeni shumë flamingo apo nëse do jenë aq të bukur sa në Instagram. Ama po u referohem atyre sepse ky është shembulli më i mirë i këtij momenti që po kalojmë në Shqipëri. Besojmë se Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe ka kaluar nga një epokë ku njerëzit gjithmonë mendonin se gjërat do bëheshin më keq, sot jemi në epokë të re ku njerëzit mendojnë se gjërat mund të jenë më mirë.
Njerëzit e kanë kuptuar që vendi mundet të bëhet komplet ndryshe, e kanë kuptuar se shumë gjëra po lëvizin dhe që ka një zhvillim të dukshëm për këdo. Por njerëzit kanë edhe pyetje dhe me të drejtë. Është e natyrshme që këto pyetje të kombinohen me ankthin që të jep koha e sotshme. Duket sikur je në Europë edhe në aspektin e ankthit pasigurive, shkallë vetmie që bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetët tona”- tha Rama. Versus.al

