Sot është një nga modelet më të kërkuara në botën e modës, por rruga e Anok Yai drejt pasarelave ndërkombëtare nuk ka qenë aspak e lehtë.
28-vjeçarja ka lindur në Kajro në vitin 1997, në një familje me origjinë sudaneze. Kur ishte vetëm tre vjeç, familja e saj u zhvendos në SHBA dhe më pas u vendos në New Hampshire, ku Anok kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë.
Në një intervistë për British Vogue, modelja ka rrëfyer se u përball me racizëm dhe ngacmime gjatë viteve të shkollës. Ajo tregoi se ishte konsideruar “vajza më e shëmtuar në shkollë” dhe se shpesh bëhej objekt talljeje. Në të njëjtën kohë, familjarët dhe mësuesit e vlerësonin për inteligjencën e saj.
“E pranova që nuk isha tërheqëse. Pastaj fillova të merresha me modeling dhe gjithçka ndryshoi”, ka treguar Yai për British Vogue.
Kthesa erdhi në vitin 2017, kur një fotograf e fotografoi gjatë një eventi universitar në Washington. Fotografia u publikua në Instagram dhe shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e agjencive të modelingut.
Vetëm disa muaj më vonë, Yai bëri debutimin e saj në pasarelën e Prada-s në Milano. Që prej atëherë, ajo ka punuar me disa prej shtëpive më të mëdha të modës dhe është shndërruar në një prej fytyrave më të dallueshme të industrisë.
Karriera e saj u përball me një tjetër sfidë të madhe vitin e fundit, kur modelja zbuloi se kishte kaluar një problem serioz shëndetësor. Pas ndërhyrjes dhe një periudhe të vështirë rikuperimi, ajo është rikthyer sërish në pasarela.
Historia e Anok Yai është bërë kështu një nga ato kthesa të rralla në botën e modës: vajza që dikur ndihej e pasigurt për pamjen e saj, sot është një nga modelet më të njohura ndërkombëtarisht.
Burimi: British Vogue
Lini një Përgjigje