Mbledhje te “Vila e Kuqe”, Rama thërret sot drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, zbulohen detajet Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, iu drejtua me një videomesazh Konferencës Ndërqeveritare, duke vlerësuar rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Në fjalën e tij, McAllister theksoi se zgjerimi forcon ekonomitë, demokracitë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të Europës. Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ai nënvizoi se zhvillimet e fundit kanë dëshmuar rëndësinë strategjike të zgjerimit dhe të shmangies së pasigurive të zgjatura në rajon.
Për Shqipërinë, McAllister vlerësoi hapjen e të gjitha grupkapitujve të negociatave, duke e cilësuar këtë si rezultat të një pune të madhe të bërë nga vendi.
Ai theksoi se sfidat e radhës lidhen me forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e institucioneve publike që u shërbejnë qytetarëve. Në përfundim, McAllister siguroi se Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Në qendër të programit të BE-së është begatia, prosperiteti dhe siguria, dhe zgjerimi ndihmon në forcimin e të tria këtyre shtyllave. Ai afron ekonomitë me njëra-tjetrën, forcon demokracitë dhe ndihmon në një qëndrueshmëri afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi rus në Ukrainë ka theksuar rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së. Të lësh rajonin në një pasiguri kaq të gjatë krijon mundësi që edhe palë të treta të zgjerojnë ndikimin e tyre negativ aty.
BE-ja duhet t’i çojë përpara negociatat sa herë përmbushen kushtet dhe vendet që bëjnë reformat duhet të rrisin besimin te BE-ja. BE-ja duhet të mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Përgjegjësia është dypalëshe: vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe BE-ja duhet t’i njohë arritjet dhe t’i kthejë ato në hapa të mëtejshëm për anëtarësimin.
Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt dhe këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria dhe shumë prej nesh që jemi të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në BE. Kjo punë i duhet njohur Shqipërisë.
Tashmë sfida që qëndron është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, si dhe të sigurohemi që institucionet publike t’u shërbejnë mirë qytetarëve të vet. Ju nxis që këto reforma t’i ndiqni me po atë vendosmëri. Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit”, u shpreh McAllister.
Top Channel