Bardhi-Ramës: Nuk dhe llogari për Vlora Hysenin, pse e vendose në krye të SHISH?
Një ditë pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar duke kërkuar sërish transparencë mbi mënyrën se si ajo u përzgjodh në këtë detyrë. Bardhi deklaron se kryeministri ende nuk ka dhënë shpjegime lidhur me procesin e përzgjedhjes së Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit. Ai i kërkon Ramës të bëjë publike se cilat kanë qenë shërbimet partnere që, sipas kryeministrit, i kanë dhënë referenca të shkëlqyera Hysenit. Në reagimin e tij, Bardhi kërkon gjithashtu që Rama të sqarojë se cilët partnerë ndërkombëtarë janë “shastisur”, sipas tij, nga veprimet e SPAK ndaj Vlora Hysenit.
“Dje duhej të jepte llogari përse në krye të SHISH propozoi një person që ishte njohje e tij personale dhe pa asnjë kontribut në Shqipëri. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush loboi për postin më të lartë të institucionit të sigurisë në vend? Kush mban përgjegjësi që në krye të SHISH ishte një njeri që bashkëpunonte me persona të arratisur nga drejtësia apo u jepte informacione të klasifikuara organizatave kriminale?
Rama e konsideroi dëm faktin që drejtësia veproi ndaj një zyrtari në krye të shtetit, por nuk tha asnjë fjalë për dëmin që përzgjedhja e tij personale i ka shkaktuar sigurisë kombëtare. Asnjë fjalë për vënien e SHISH në shërbim të Agasit, grupeve kriminale apo të luftës së PS. A keni një përgjigje: Si u përzgjodh Hyseni? Nëse përzgjedhja është bërë, sepse keni marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere, na tregoni kush janë këto shërbime partnere, kush janë këta partnerë ndërkombëtarë.
Cili shtet është shastisur nga veprimet e SPAK? Cili mik i huaj sekret? Ti ke të drejtë t’ua lësh përgjegjësinë për këtë akt paprecedent partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, pa treguar se cilët janë ata, për sa kohë partnerët ndërkombëtarë heshtin dhe preferojnë që ti të jesh zëdhënësi i tyre.
Dil dhe trego, cili shërbim i huaj, cili partner ndërkombëtar ta sugjeroi Vlora Hysenin me referenca të shkëlqyera dhe kush është shastisur nga veprimet ligjore të SPAK kundër krimeve të saj? Deri më tani kemi vetëm një reagim nga BE, që mbështet punën e SPAK. Kush u shastis? Serbia, Rusia apo Bjellorusia? Na trego çfarë u verifikua lidhur me shkarkimin e saj nga Kosova”, tha Bardhi.

