Politikë

Skandali me sigurinë kombëtare, Bardhi pyet Ramën: Kush e zgjodhi Vlora Hysenin në krye të SHISH?

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për zhvillimet e fundit në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke kërkuar nga kryeministri Edi Rama të japë shpjegime për mënyrën se si ajo u përzgjodh në krye të institucionit të sigurisë. Bardhi ngre një sërë pyetjesh mbi emërimin e saj dhe përgjegjësinë e kryeministrit, duke e cilësuar situatën si një çështje që kërkon llogaridhënie institucionale.

Në reagimin e tij të gjatë, kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon të dijë se kush e propozoi Hysenin fillimisht si këshilltare dhe më pas për drejtimin e SHISH-it, si dhe çfarë verifikimesh janë kryer përpara emërimit të saj. Ai kërkon gjithashtu sqarime për referencat e pretenduara nga shërbimet partnere ndërkombëtare për Hysenin dhe pyet se cilët janë këta partnerë që, sipas deklarimeve të Ramës, kanë dhënë vlerësime për të. Bardhi kërkon që kryeministri të bëjë publike edhe nëse janë verifikuar të dhënat që lidhen me të kaluarën e saj profesionale.

Bardhi e lidh çështjen e SHISH me përgjegjësinë politike të kryeministrit, duke argumentuar se Rama duhet të japë llogari për mënyrën se si janë bërë emërimet dhe për funksionimin e institucioneve që varen nga qeveria.

REAGIMI I BARDHIT
Dje, secili prej jush që beson tek e ardhmja e Shqipërisë, jam i bindur se është ndjerë i zhgënjyer.
Jo për faktin se, për të disatën herë, u rikonfirmua se Republika jonë ka një Kryeministër të papërgjegjshëm.
Jo për faktin se, për të disatën herë, shqiptarët kuptuan se Kryeministri i vendit i ikën llogaridhënies dhe përgjegjësisë.
Por për faktin se dje qytetarët shqiptarë patën mundësinë të kuptonin se e keqja në këtë vend nuk njeh limite, nuk ka fund dhe është kthyer në sistem. Dhe e keqja është kaq e madhe, sa përpiqet të përpijë cilindo që së keqes i thotë e keqe.
Ndërkohë që çdo shqiptar i ndershëm dhe çdo mik ndërkombëtar i Shqipërisë ndihet i tronditur si llumi dhe e keqja ka mbuluar çdo segment të qeverisjes së vendit, Kryeministri Edi Rama zgjodhi përsëri të njëjtën strategji.
Edi Rama iu tha shqiptarëve se asgjë jonormale nuk ka ndodhur: se AKSHI apo SHISH-I; Gysi, Mirlinda, apo Vlora; janë një kapitull normal i Shqipërisë së tij imagjinare europiane dhe se fajin për gjithçka që po ndodh në vend e ka drejtësia që heton veprimtarinë e qeverisë, opozita që e denoncon atë dhe mediat që e pasqyrojnë.
Për ata që akuzohen për këto veprime, përfshirë edhe vetë atë, na këshilloi t’i prezumojmë të pafajshëm dhe t’i trajtojmë me dinjitet e humanizëm.
Ndërkohë që, në të njëjtin fjalim ku na kërkonte të prezumonim si të pafajshëm Vlorën, Belindën, Lindën, Ergysin, Veliajn e të tjerë, edhe pse për to janë bërë publike prova dhe fakte të zbuluara nga prokuroria, vetes i lejoi të konsiderojë të fajshëm dhe madje shpalli akuza publike ndaj dy televizioneve që nuk i kontrollon dot politikisht, duke i akuzuar, pa paraqitur asnjë fakt për pastrim parash apo evazion.
E vërteta është se, as njëri televizion dhe as tjetri nuk rezulton nga ndonjë hetim i prokurorisë të jetë financuar me para nga korrupsioni, krimi apo fshehja e të ardhurave.
Janë televizione të tjera ato që figurojnë në çdo hetim korrupsioni e krimit të SPAK, por Edi Rama zgjodhi të heshtë sepse ato i shërbejnë si zyra propagande.
E vërteta është që Qeveria e Edi Ramës nuk ka lënë gjë pa bërë për t’i shantazhuar, kontrolluar, verifikuar e penguar dhe, nuk ka arritur të gjej asgjë. Megjithatë, ka zgjedhur të sillet në këtë mënyrë me to: duke i sulmuar, duke u marrë pronat, duke i nxjerrë nga zyrat me polici dhe ushtri, dhe duke i intimiduar çdo biznes që bashkëpunon me to.
Një Kryeministër i përgjegjëshëm nuk shantazhon mediat.
Nëse ai ka dijeni për një krim, ka detyrimin ligjor t’u drejtohet organeve të drejtësisë.
Edi Rama nuk e ka bërë këtë, sepse, sulmi ndaj dy televizioneve, Syri TV dhe News 24, bëhet vetëm sepse ai nuk i kontrollon dot.
Vetëm sepse ato kanë vendosur t’u thonë shqiptarëve atë që konsiderojnë të vërtetën. Vetëm sepse nuk janë pjesë e oborrit personal të Edi Ramës.
Në të njëjtin fjalim ku na kërkonte të prezumonim si të pafajshëm Vlorën, Belindën, Lindën, Ergysin, Veliajn e të tjerë, edhe pse për to janë bërë publike prova dhe fakte të zbuluara nga prokuroria, vetes i lejoi të konsiderojë të fajshëm dhe madje shpalli akuza publike ndaj liderëve të opozitës, duke na kujtuar urdhrin që lëshoi nga Kongresi i Partisë Socialiste për arrestimin apo përndjekjen gjyqësore ndaj Liderëve të Opozitës.
Të gjithë kujtojmë sesi Edi Rama në Kongresin e PS u kërkonte prokurorëve që të hapnin çështje penale dhe të arrestonin 3 Liderët e partive opozitare, dhe fakti është që në vitin zgjedhor Sali Berisha u mbajt një vit në arrest shtëpie, Ilir Meta u burgos, ndërsa Fatmir Mediu u detyrua të ishte çdo javë në një proces gjyqësor të padrejtë. Sepse për Edi Ramën prezumimi i pafajësisë vlen për çetën e tij të të korruptuar, por nuk vlen për kundërshtarët politik.
Të dashur qytetarë,
Reforma në Drejtësi ishte produkt i 140 votave në Kuvendin e Shqipërisë. Pa votën e PD, reforma në drejtësi do ishte thjeshtë e pamundur.
Vizionin e Edi Ramës për drejtësinë e pavarur shqiptarët e panë me draftin fillestar që ai propozoi për miratim, ku gjyqtarët dhe prokurorët, i konsideronte si vartës të pushtetit ekzekutiv. Ishtë ndërhyrja jonë dhe opinioni i vyer i Komisionit të Venecias që rrëzuan përpjekjen e Edi Ramës për të shtënë në xhep, me Kushtetutë, sisitemin e drejtësisë.
Ligji për SPAK dhe GJKKO ishte më tej i vetmi ligj i miratuar me konsensus, falë ndërhyrjes së SHBA-së për të reflektuar në të, të gjitha shqetësimet e PD.
Ti tregosh SHBA dhe BE drejtësinë e Noc Rrokut, do me thënë të jesh tërësisht mosmirënjohës për ndihmën e vyer që SHBA dhe BE kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve për sistemin e drejtësisë në vend, duke shpenzuar miliona euro apo dollarë të taksapaguesve të tyre. Pa ndihëm e tyre, Edi Rama do ta kishte tërësisht nën kontroll sistemin e drejtësisë.
Të dashur bashkëqytetarë,
Edi Rama na tha se është i sapokthyer nga SHBA-ja, ku për një javë, me taksat e shqiptarëve, udhëtoi nga Michigan-i në New York, por pa shpjeguar me asnjë fjalë se përse u shfaq atje, si një Kryeministër i izoluar ndërkombëtarisht.
Përveç fjalimit për Inteligjencën Artificiale, a thua ky është problemi më i madh sot në Shqipëri, që mbajti në sallën bosh të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshmetë OKB-së, Edi Rama ishte, i vetmi Kryeministër nga Ballkani dhe Europa që nuk zhvilloi asnjë takim bilateral me Kryeministra të tjerë të pranishëm, me zyrtarë të OKB-së, me zyrtarë të Bashkimit Europian apo me autoritete shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Na deklaroi se situata diktonte një adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë, sy më sy. Por pse nuk pranoi të komunikonte me gazetarët? Pse nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të tyre? Pse nuk dha përgjigjet që shqiptarët presin prej ditësh t’i dëgjojnë? Pra, të vetmit sy me të cilët komunikoi drejtpërdrejt ishin ata të Lindës, Taulantit, Feritit dhe Pjerinit, që i kishte si shoqërues gjatë këtij “udhëtimi të vetmisësë madhe” prej një jave në SHBA.
Edi Rama i iku komunikimit sy më sy sepse, edhe ai vetë, është i ndërgjegjshëm se tre milionë shqiptarë, nga njëra anë, dhe Edi Rama me një grusht njerëzish, nga ana tjetër, jetojnë në realitete të ndryshme.
Shqiptarët jetojnë në realitetin ku mezi mbyllin muajin me rrogat dhe pensionet që marrin, ndërkohë që Qeveria e Edi Ramës ka luksin që, vetëm në një tender, në tenderin e Tunelit të Llogarasë, të avullojë 50 milionë euro.
Shqiptarët jetojnë në realitetin ku paguajnë çmimet më të larta të ushqimeve dhe karburantit, ndërkohë që Edi Rama ka luksin të shëtisë botën me avion privat.
Shqiptarët jetojnë në realitetin ku kanë pensione ndër më të ultat në Europë e Ballkan, ndërkohë që Edi Rama ka luksin të ndërtojë në godinën e Kryeministrisë “Kopshtin Eden” me vlerë 4 milionë euro apo të paguajë për koncertin e Kanye West-it plot 4 milionë euro të tjera.
Shqiptarët jetojnë në realitetin ku, mungojnë ilaçet në spitale dhe kostoja e shëndetit të tyre është e barabartë me të ardhurat e disa viteve punë, ndërkohë që Edi Rama ka luksin të paguajë nga Buxheti i Shtetit më shumë se 300 milionë euro për koncesionet në shëndetësi.
Shqiptarët jetojnë në realitetin ku e shohin vendin e tyre si të pajetueshëm, dhe ku çdo ditë njerëzit largohen nga Shqipëria për të garantuar një jetë më të mirë për familjet e tyre diku tjetër në botë, ndërkohë që Edi Rama u tregon përralla me integrimin europian dhe flamurin që ngrihet lart.
Të dashur qytetarë,
Dje ishte dita kur Edi Rama duhet të jepte llogari se përse, në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, propozoi dhe përzgjodhi një person që ishte njohje e tij personale, pa asnjë lidhje dhe asnjë kontribut të njohur në Republikën e Shqipërisë. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush e loboi më pas për postin më të lartë të institucioneve të sigurisë në vend? Kush mban përgjegjësinë që në krye të SHISH-it ishte një njeri që, sipas akuzave të bëra publike, bashkëpunonte me persona të arratisur nga drejtësia apo u jepte informacione të klasifikuara organizatave kriminale në vend?
Edi Rama e konsideroi dëm faktin që drejtësia veproi ndaj një zyrtareje në krye të shtetit, por nuk tha asnjë fjalë për dëmin që përzgjedhja e tij personale i ka shkaktuar sigurisë kombëtare. Asnjë fjalë për vënien e SHISH-it, në shërbim të Ergys Agasit, të krimit të organizuar apo të luftës së brendshme për pushtet.
Kush dhe si u përzgjodh Vlora Hyseni në krye të SHISH-it? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Nëse përzgjedhja është bërë se paske marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere, që ndër të tjera na the se janë të shastisur nga mënyra sesi ka vepruar drejtësia me këtë rast, na i trego kush janë këta partnerë ndërkombëtarë? Cili është shastisur nga veprimet e SPAK? Cili shtet, cili partner ndërkombëtar, cili shërbim i huaj sekret?
Ti ke shumë të drejtë t’ia lësh përgjegjësinë për këtë akt të paprecedentë të vënies së SHISH në shërbim të krimit të organizuar partnerëve ndërkombëtarë, pa treguar cilët janë ato, sa kohë që partnerët ndërkombëtarë heshtin dhe preferojnë që të jesh ti zëdhënësi i tyre.
Mirëpo, heshtja e tyre ndaj përgjegjësisë që ti dëshiron t’ia faturosh pa adresë, nuk justifikon mungesën e transparencës nga ana jote ndaj shqiptarëve.
Dil dhe tregoju shqiptarëve cili shërbim i huaj, cili partner ndërkombëtar ta sugjerojë Vlora Hysenin me referencë të shkëlqyer dhe kush është shastisur nga veprimet ligjore të SPAK kundër krimeve të saj?
Deri më tani kemi një reagim zyrtar të BE që nuk tregonte shastisje, por mbështetje dhe besim të plotë ndaj punës së SPAK.
Kush u shastis Serbia, Rusia, apo Bjellorusia? Dil tregojua shqiptarëve.
Dil gjithashtu dhe na trego, cfarë u verifikua lidhur me shkarkimin e saj nga pozicionet drejtuese në Shërbimin Informativ të Kosovës, me vendim të Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Kush e vuri, Vlora Hysenin në shërbim të Ergys Agasit? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Kush e mban përgjegjësinë nëse sot grupet kriminale në vend kanë në duart e tyre informacion mbi rrjetin e informatorëve të SHISH-it në gjithë Shqipërinë?
Kush e mban përgjegjësinë nëse operacione të Shërbimit Informativ të Shtetit janë dekonspiruar për llogari të krimit të organizuar?
A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Opozita e ka thënë me zë të lartë se Vlora Hyseni, si shefe e SHISH-it, ishte në shërbim të koordinatorit të krimit Ergys Agasi. E kemi thënë në Kuvend, e kemi thënë në komisionet parlamentare, e kemi thënë në mbledhje e takime, e kemi thënë në studio televizive.
Çfarë masash ka marrë Kryeministri për të verifikuar këto akuza të opozitës? A mund të kemi një përgjigje, zoti Kryeministër?
Një Kryeministër që pretendon se nuk di asgjë dhe se gjithçka ndodh pas shpinës së tij, urdhëron verifikim, merr masa për të mësuar të vërtetën, kërkon informacion dhe vendos strukturat në varësi të tij në punë për të mbikëqyrur situatën apo akuzat. E keni bërë ju këtë, zoti Kryeministër? Kur dhe si? Mund të na përgjigjeni, zoti Kryeministër?
Meqë e vetmja strategji e Edi Ramës është të bëjë sikur nuk di gjë dhe se të gjitha ndodhin pas shpinës së tij, dua t’ju kujtoj se, sipas Kushtetutës, Kryeministri ka përgjegjësi të përcaktuara qartë, ndër të cilat edhe sigurimin e zbatimit të ligjit dhe kontrollin e punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të drejtuesve të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit. Kjo është përgjegjësia konkrete kushtetuese e Kryeministrit.
Nëse ju, Edi Rama, nuk e ushtroni këtë përgjegjësi kushtetuese sepse ministrat, drejtorët dhe vartësit tuaj ju bëjnë gjëra pas shpine, pse rrini ende në detyrë? Nëse nuk përmbushni detyrën tuaj për të kontrolluar se çfarë bëjnë ministrat dhe drejtorët, çfarë përgjegjësie merrni ju? Nëse jeni i paaftë të përmbushni përgjegjësinë tuaj kushtetuese pse nuk largoheni? A nuk duhet të përgjigjeni për këtë? Jeni naiv, i paaftë, apo i korruptuar dhe i kriminalizuar?
Sepse në fakt, e vërteta është krejt ndryshe.
Ministrat, drejtorët dhe vartësit tuaj janë përballur dhe po përballen me drejtësinë për akte dhe veprime që janë urdhëruar prej teje dhe që përbëjnë përgjegjësi politike, morale dhe ligjore tënden.
Sot është dita të kujtojmë disa prej tyre.
Të nderuar qytetarë,
– Opozita denoncoi depërtimin e krimit në institucione, përfshirë Parlamentin dhe Bashkitë. Edi Rama e mohoi për një kohë të gjatë këtë fenomen, derisa u miratua ligji i dekriminalizimit. Filloi të tallej me ligjin e miratuar, aq sa merrte personat e akuzuar nga opozita, i shpallte heronj dhe deklaronte se mezi priste të shihte pse nuk po i prekte ligji. I doli për zot pastërtisë së figurës së tyre.
Kur filloi të vërtetohej se në Kuvend dhe Bashki kishin depërtuar individë me rekorde të tmerrshme kriminale, nga trafikantë droge te persona të akuzuar për vrasje e përdhunime, Edi Rama doli dhe tha se nuk dinte gjë dhe se përgjegjësia ishte individuale.
Po si ka mundësi që Edi Rama di çfarë hanë në mëngjes dhe në darkë shqiptarët, u bën biografinë me lehtësi dhe di gjithçka për ta, ndërkohë që personat që i kishte përzgjedhur vetë i kishin shpëtuar kontrollit të tij dhe ai nuk dinte gjë?
– Opozita ngriti alarmin se Shqipëria po kanabizohej me leje shtetërore. Edi Rama e mohoi këtë dhe e shpalli ministrin e Brendshëm kampion të luftës ndaj kanabisit. Kur ai ra në rrjetën e drejtësisë italiane, Edi Rama madje e mbrojti në Kuvend, duke mos i hequr imunitetin. Kur hetimet avancuan dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u bë i pambrojtshëm, e lëshojë dhe tha se nuk e dinte që ai kishte lejuar kanabizimin e vendit.
Po si nuk e dinit ju që Shqipëria po kanabizohej, kur opozita jua thoshte çdo ditë? Çfarë verifikuat ju? Asgjë? Sepse, projekti i kanabizimit të vendit nuk kishte si arkitekt Saimir Tahirin, por kishte arkitekt Edi Ramën.
– Opozita denoncoi me fakte koncesionet në shëndetësi. Ndërkohë, Edi Rama i dilte për zot asaj afere, deklaronte se nuk kishte shkelje dhe arriti deri aty sa të thoshte se “nuk ka hajdut dy metra”. Kur Ilir Beqaj ra në rrjetën e drejtësisë, edhe pse ishte “dy metra”, doli përsëri dhe tha se përgjegjësia ishte individuale dhe se ai nuk dinte gjë.
Po si nuk dinit gjë ju për koncesionet e shëndetësisë, kur ishin paraqitur prova dhe fakte që tregonin se paratë e shqiptarëve shkonin dëm për shërbime që nuk i merrnin? Çfarë verifikuat ju? Asgjë? Sepse, arkitekti i koncesioneve në shëndetësi nuk ishte Ilir Beqaj, por Edi Rama. Dhe Vilma Nushi e koncesionit të Check-Up-it në shëndetësi nuk ishte mikeshë e Ilir Beqajt, por, mikeshë personale e Edi Ramës.
– Opozita denoncoi me fakte dhe prova se ndërtimi i tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë ishte, një aferë korruptive dhe se ai model ishte i dështuar. Nga ajo aferë shqiptarëve iu morën rreth 340 milionë euro, ndërkohë që problemet me mbetjet vazhdojnë. Edi Rama doli më shumë se një herë dhe e mbrojti atë projekt korruptiv. Madje arriti deri aty sa mori të gjithë grupin parlamentar të PS-së dhe e dërgojë të zhvillonte mbledhje te fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit, vetëm për të bindur shqiptarët se ai ishte një model suksesi dhe se opozita fliste nga inati.
A nuk ishe ti Edi Rama garant që inceneratorët ekzistonin, punonin dhe digjnin çdo ditë plehrat e shqiptarëve? A nuk ishe ti që firmose 17 vendime brenda ditës për t’i hapur rrugë një skeme që i kushtoi shqiptarëve 340 milionë euro? A nuk ishe ti që me firmën tënde u dhe bonus kompanive që nuk ekzistonin ende, edhe pse ishe paralajmëruar jo vetëm nga ne, por edhe nga ministra të tu se këto kompani nuk ekzistonin dhe nuk mund të përfitonin bonus?
Mirëpo, pasi një numër ministrash dhe zyrtarësh publikë ranë në rrjetën e drejtësisë dhe shqiptarët panë me sytë e tyre se inceneratorët nuk kishin funksionuar siç ishte premtuar, dolët përsëri dhe përsëritët se ju nuk dinit gjë dhe se përgjegjësia ishte individuale. Po si nuk dinit gjë kur opozita ju kishte paralajmëruar? A verifikuat ju akuzat? Jo? Sepse, afera nuk kishte si arkitekt as Lefter Kokën, as Alqi Bllakon dhe as Arben Ahmetajn. Arkitekti ishte Edi Rama, i cili e promovoi, mbështeti dhe mbrojti derisa zyrtarët e përfshirë ranë në rrjetën e drejtësisë.
– Opozita denoncoi me fakte se Policia e Shtetit, nuk po luftonte krimin e organizuar, por po i shërbente atij. Edi Rama heshti, nuk veproi, nuk verifikoi asgjë. Kur ne të thamë se Ilir Proda ishte, ushtar i Ergys Agasit dhe i krimit të organizuar, Edi Rama na përqeshte dhe na thoshte se po bënim pis Policinë e Shtetit. Po sot, kur nga hetimet janë bërë publike të dhëna që konfirmojnë këto akuzave, pse nuk del para shqiptarëve t’u shpjegosh kush e emëroi Ilir Prodën në krye të Policisë së Shtetit, kush e mbrojti Ilir Prodën në krye të Policisë së Shtetit dhe kush mban përgjegjësi nëse Policia e Shtetit mbronte dhe nuk luftonte krimin e organizuar?
– Po për pastrimin e parave të krimit të organizuar në kulla dhe në sektorin e ndërtimit, pse nuk flet? As këtë shqetësim të ngritur nga opozita nuk e ke dëgjuar? Edhe për këtë nuk di gjë? Çfarë masash ke marrë për ta ndaluar këtë fenomen? Mos konsideron masë numrin e paprecedentë të lejeve për kulla dhe resorte që mbajnë firmën tënde dhe ku pastrohen miliarda euro të krimit të organzizuar?
– Po për tenderat e AKSHI-t nuk kishe dëgjuar gjë? Nuk dije gjë? Derisa doli në dritë, sipas hetimeve dhe akuzave të bëra publike, se tenderat dyfishoheshin, se biznesmenë përballeshin me rrëmbim, se tërhiqeshin ankime dhe se baxhanaku yt fitonte tendera. Po çfarë bëre pasi ne t’i provuam këto pretendime? Asgjë. Dole dhe bëre avokatinë e Lindës së AKSHI-t, e shpalle të varfër dhe the se jetonte me qira. Ndërsa kur SPAK bëri publike të dhëna lidhur me pasuri të shumta, bëre përsëri sikur nuk dije gjë dhe heshtje.
Dil dhe shpjegoju shqiptarëve: ka pasuri Linda e AKSHI-t apo jeton me qira, siç na the ti? Pse hesht tani? Dil dhe shpjegoju shqiptarëve sesi paratë e AKSHI-t përfunduan në Kështjella në Francë për Beqirin tënd, dhe pasuri të panumërta për Gysin tënd.
– Po me akuzat për korrupsion ndaj Belinda Ballukut çfarë ke ndërmend të bësh? I ke dëgjuar apo edhe për këtë nuk ke dijeni? A nuk ishe ti që e mbrojte me votë në Kuvend, duke dalë garant se ajo nuk ishte e korruptuar? Po tani që janë bërë publike vila të saj luksoze, pse hesht, pse nuk flet, pse nuk na shpjegon se ku shkoi garancia dhe mbrojtja politike që i ofrove me votat e tua në Kuvend?
– Po Ron Yeffet, e njeh? Ke dëgjuar dhe di gjë se çfarë po bëhet me KAYO-n? A ka aktivitet dhe prodhim armësh sipas qëllimeve të deklaruara, apo vetëm merr para nga Buxheti i Shtetit njëlloj si inceneratorët që nuk ekzistojnë? As për këtë nuk di gjë? Do ta mësosh vetëm kur të ketë hetime apo arrestime dhe, sipas këtij modeli që kemi parë, do të përsërisësh se përgjegjësia është individuale?
– Po për tenderin e fushave naftëmbajtëse që, sipas akuzave dhe dokumenteve të bëra publike, McGonigal ta kërkoi në këmbim të sulmit të sajuar ndaj opozitës, pse nuk flet? A ta kërkoi ai si pjesë të një marrëveshjeje për atë që ti i kërkove: sulmin e orkestruar me shpifje ndaj opozitës? Pse nuk flet për këtë? E fitoi tenderin nga qeveria jote kompania që kërkoi McGonigal, apo jo? A u zbatua ligji apo u shkel? Dil dhe shpjegoju shqiptarëve.
Dje na deklarove se nuk është e vërtetë që ti ulesh me biznesmenë dhe se ju jepni copa Shqipërie. Ashtu?
– Po Alabari, si e fitoi truallin mbi Portin e Durrësit? Me konkurs apo me ligj special dhe me përzgjedhje personale tënden?
– Po Ron Yeffet, si hyri në biznes me KAYO-n? Me konkurs apo si mik i yti personal?
– Po turqit e Tunelit të Llogarasë, që na kushtuan 50 milionë euro, si i zgjodhe? Me konkurs? Apo shkove ti personalisht në Ankara dhe bëre marrëveshje ende pa u hapur tenderi?
– Po turqit e Aeroportit të Vlorës, si erdhën në Shqipëri? Me konkurs? Apo i përzgjodhe ti dhe detyrove biznesmenin Behgjet Pacolli të bënte marrëveshje biznesi me ta?
Shqiptarët duhet të të besojnë se je i pakorruptuar dhe se nuk di çfarë bëhet me aferat e ministrave të tu, meqë nuk kanë parë ende para shtesë në xhepat e tu? Po kush t’i kontrollojë xhepat?
Po edhe Belindës, deri më tani, para në xhep nuk i kemi parë. Por vila luksoze të fshehura kemi parë, sipas akuzave të bëra publike.
Edhe ty të kemi parë. Nga i pastrehë në vitin 2013, u shfaqe me saraje me vlerë mbi 1 milion euro në vitin 2014. Deklarove se i ndërtove me para borxh të marra nga një kompani ndërtimi. Por nuk dimë si e shlyeve borxhin dhe kur e shlyeve. E vetmja gjë që dimë është se, me ardhjen tënde në pushtet, biznesmeni që të dha borxhin për të ndërtuar sarajet është një nga biznesmenët që fiton më së shumti tendera, merr koncesione, ndërton resorte dhe përfiton pasuri publike. Dhe shumë prej këtyre, me firmën tënde direkte.
Z. Rama,
Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje.
Përgjigje për mënyrën se si janë bërë emërimet.
Përgjigje për mënyrën se si janë dhënë tenderat dhe koncesionet.
Përgjigje për mënyrën se si janë mbikëqyrur institucionet.
Përgjigje për marrëdhëniet mes pushtetit dhe biznesit.
Përgjigje për marrëdhëniet mes pushtetit dhe krimit.
Dhe, mbi të gjitha, përgjigje për kufijtë e përgjegjësisë politike të Kryeministrit.
Kur një zyrtar përballet me drejtësinë, drejtësia duhet të bëjë punën e saj.
Por paralelisht, qeveria duhet të japë llogari për vendimmarrjen politike, për emërimet dhe për mekanizmat e kontrollit që kanë funksionuar ose nuk kanë funksionuar.
Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë.
Ndërsa, përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike.
Dhe transparenca ndaj qytetarëve është detyrim i çdo qeverie.
Boll 13 vjet me justifikime.
Boll 13 vjet me sulme ndaj opozitës.
Boll 13 vjet me sulme ndaj medias.
Boll 13 vjet me teorinë e përgjegjësisë individuale sa herë që një zyrtar i emëruar nga ti përballet me drejtësinë.
Është koha për përgjegjësi politike, përgjegjësi institucionale dhe, mbi të gjitha, përgjigje për atë që ndodh nën qeverisjen tënde.
Jo me deklarata politike.
Jo me argumentin se “nuk dija gjë”.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si qeveriset vendi i tyre, si përdoren paratë e tyre dhe kush mban përgjegjësi për vendimet që merren në emër të tyre.
Kjo është llogaridhënia.
Dhe kjo është transparenca që shqiptarët meritojnë.
Sepse pyetja që mbetet është gjithmonë e njëjta dhe e thjeshtë: nëse Kryeministri nuk di asgjë për atë që bëjnë ministrat, drejtorët dhe institucionet që varen prej tij, atëherë kush qeveris Shqipërinë? Cunat e Gysit? Dhe nëse ti di gjithçka, atëherë pse nuk jep dorëheqjen? Kush të mban peng? Nga se ke frikë të jesh qytetarë pa pushtet? Nga burgu?
Kjo është pyetja që shqiptarët kanë të drejtë të bëjnë. Dhe kjo është përgjigjja që shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë.
Edi Rama,
Dil dhe jep llogari. Boll u fshehe pas kamerës tënde, në vetmi, siç në fakt e meriton të përfundojë secili autokrat që abuzon me pushtetin e dhënë nga qytetarët dhe që janë drejt fundit të tyre të merituar.
Shqiptarët presin të mbash përgjegjësi. Dhe përgjegjësia e parë që të takon ty, Edi Rama, është politike. Jep dorëheqjen! Mos mbaj më peng të krimit të organizuar dhe të korrupsionit as Partinë Socialiste, as Shqipërinë.
Sa për përgjegjësinë penale, ti duhej të ishe prej kohësh pas hekurave të burgut.
Faleminderit!

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.