Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dha dorëheqjen të dielën për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të tetorit, pas gati dy vitesh protesta të udhëhequra nga studentët, të cilat kishin kërkuar pikërisht një zgjedhje të tillë.Vuçiç mbajti fjalimin e tij të dorëheqjes nga pallati presidencial në Beograd. EFEKTE Sot në mëngjes ai i dorëzoi detyrat kryetarit të parlamentit, Ana Bërnabic e cila sipas ligjit tani bëhet presidente e përkohshme deri në tre muaj, gjatë të cilave duhet të shpallen zgjedhjet presidenciale.Zgjedhjet e parakohshme ishin një kërkesë kryesore e një lëvizjeje të udhëhequr nga studentët, e nxitur nga shembja e një tendë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, e cila vrau 16 persona dhe u fajësua gjerësisht për korrupsion. Tragjedia shkaktoi disa nga protestat më të mëdha të Serbisë që nga rënia e diktatorit jugosllav Slobodan Milloshevic në vitin 2000, të cilat herë pas here tërhoqën qindra mijëra njerëz.Thirrjet fillestare për një hetim transparent u shndërruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.“Dua të konkurroj si një njeri i zakonshëm”, tha Vuçiç që kryeson listën zgjedhore të Partisë së tij Progresive Serbe. Pak minuta para se të jepte dorëheqjen, Vuçiç përdori fuqitë e tij kushtetuese për të falur dhjetëra njerëz, përfshirë studentë dhe besnikë të partisë së tij, të dyshuar për vepra penale gjatë protestave. “Kam vendosur të fal 49 persona, 23 prej tyre në lidhje me ngjarjet e tmerrshme që kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të kaluar”, tha Vuçiç, duke iu referuar protestave. Ai la më tej porosi se Beogradi nuk duhet të heqë dorë kurrë nga mbështetja për serbët në Kosovë,ndërsa kërkoi që Serbia të vazhdojë rrugën e integrimit evropian, por pa sakrifikuar lidhjet e ngushta me ato që i quajti "miqtë tradicionalë në Lindje"