Agjenti i infiltruar u paraqit si djali i Armand Dukës, si ranë në grackë dy të rinjtë që tentuan t’i zhvatnin 100 mijë euro kreut të FSHF-së
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj ka siguruar fotot e dy të rinjve, Edison Korra dhe Orest Balla të cilët u përpoqën të mashtronin kreun e FSHF, Armand Dukën, për t’i marrë 100 mijë euro.


Siç raportoi më herët Vizion Plus, ata i kërkuan 100 mijë euro kriptovaluta Dukës duke iu prezantuar në emër të Taulant Ballës.
Kreu i FSHF-së, i cili e kishte kuptuar se bëhej fjalë për një mashtrim, njoftoi menjëherë policinë.
Gjatë komunikimit Duka i ka thënë që lidhuni me djalin tim sepse nuk marr vesh nga këto gjëra. Në telefon dy të arrestuarve i ka dalë një nga agjentët e policisë duke u prezantuar si djali i Dukës. Agjenti i infiltruar u ka thënë dy autorëve se nuk i ka paratë në kriptovalutë, por do ia sjellë cash.
Dy mashtruesit i kanë thënë që paratë tja dërgonin në Elbasan. Në momentin e dorëzimit të lekëve, policia i ka arrestuar. Njëri prej tyre tentoi të largohej me vrap, por u kap nga blutë.
Pas skemës së mashtrimit dhe arrestimit të dy të rinjve qëndron fenomeni Florian Gjergji. Ky i fundit njihet për skemën e tij, duke u kthyer në mashtruesin më të madh të biznesmenëve në 30 vitet e fundit. Ai përdor të njëjtën skemë. Përdor emra të të njohurve për të grabitur biznesmenë të ndryshëm.
Florian Gjergji, prej kohësh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet, dyshohet se gjithë aktivitetin e bën nga distanca.
Skema klasike e tij është përdorimi i identiteteve të personazheve publikë, kryesisht figura të politikës, për t’i kërkuar para palëve të treta.




