Është mbajtur ditën e sotme seanca gjyqësore për gjykim paraprak në lidhje me vrasjen e Egli Progës. Ndërsa mësohet se pas më shumë se dy orësh seanca intensive për autorin e akuzuar të ngjarjes, Denis Meçe i cili ka kërkuar veçimin e çështjes nga të akuzuarit e tjerë dhe gjykim të shkurtuar, seanca e sotme është shtyrë sërish.
Po ashtu mësohet se me të njëjtën kërkesë kanë dalë dhe 4 të akuzuarit e tjerë.
Mirëpo, Gjykata nuk arriti të konkludonte me vendim për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe mori vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore në tetor, kur dhe pritet të vendoset nëse procesi për të akuzuarit e vrasjes së Egli Progës do të zhvillohet si zakonisht apo me gjykim të shkurtuar siç dhe ata kërkuan.
Kjo nuk është hera e parë që shtyhet gjyqi për vrasjen e Egli Progës. Siç kemi raportuar dhe më parë, të hënën që lamë pas u mor vendimi për shtyrjen e gjyqit paraprak për të akuzuarit.
Kujtojmë se prokuroria mbylli hetimet pas dy vitesh nga ngjarja e rëndë, dhe dërgoi çështjen për gjykim për 5 persona. Organi i akuzës aso kohë u komunikoi akuzën e vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim, Denis Meçes dher Leonidha Guçes, të cilët mbetën në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, kurse tre personat e tjerë kanë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për moskallëzim krimi.
Egli Proga u dhunua brutalisht pasi refuzoi të paguante gjobën e vendosur nga Denis Meçe, më 10 gusht të 2024-ës në Pogradec. Sipas dëshmive Egli Proga fillimisht është dhunuar brenda lokalit nga shtetasi Leonidha Guçe, dhe më pas është goditur jashtë ambienteve nga Denis Meçe.
