Agit Kabayel ka pranuar ftesën publike të Nelson Hysës për një përballje në ring. Pas shumë ditësh “përplasjesh” në distancë dhe këmbënguljes së boksierit shqiptar për të “matur forcat”, ka ardhur edhe konfirmimi i boksierit nga Gjermania.
Kabayel ka zgjedhur që këtë vendim ta ndajë me një postim në rrjetin e tij social në Instagram, ku përmes një video, shpreh vullnetin për të dalë në ring, por e vë Hysën përballë dy kushteve të cilat sipas tij duhen respektuar.
Edhe data bëhet e ditur, pra më 28 nëntor, ndërsa do të duhet firmosja e kontratës nga Kabayel për të zyrtarizuar edhe sfidën.
POSTIMI I PLOTË:
Nelson…
Po të kishte breza kampionësh për të folur, ti do të ishe tashmë Kampion Bote. Por ki kujdes se çfarë dëshiron.
Për mendimin tim, ti ende nuk e ke fituar të drejtën për të luftuar për titullin botëror. Të mungojnë ende fitoret e mëdha. Por, meqenëse ata që janë në krye ose nuk janë të disponueshëm, ose nuk duan të ndeshen me mua, jam gati ta pranoj sfidën tënde, me dy kushte.
Së pari: Mund të mos e pëlqejmë njëri-tjetrin, por popujt tanë qëndrojnë krah për krah. Ndaj, le ta mbajmë këtë çështje mes nesh dhe të mos përpiqemi kurrë t’i kthejmë gjermanët, kurdët apo shqiptarët kundër njëri-tjetrit.
Së dyti: Nëse e pranoj këtë ndeshje, nuk ka kthim prapa. Pa justifikime. Pa rrugëdalje.
Ti erdhe tek unë, më shtrëngove dorën dhe më sfidove në mënyrën tënde. The se dukesha i frikësuar.
Por Nelson, mos e ngatërro kurrë mirësinë me dobësinë.
Kur të bjerë gongu, nuk do të buzëqesh. Do të të ndjek, do të të heq hapësirën dhe nuk do të të lë kohë as të marrësh frymë.
Nëse i pranon këto kushte, le të ndeshemi.
28 Nëntori. Para gjithë botës, do të të tregoj se në këtë lojë ka nivele të ndryshme edhe pse sfida ndaj meje ishte një gabim.
Le t’ia nisim.
