Shqipëria U-17 shkëlqen ndaj Malit të Zi, triumfojnë 5-1
Kombëtarja shqiptare U-17 ka dhuruar një paraqitje të shkëlqyer në stadiumin “Loro Boriçi”, duke mposhtur me rezultatin e thellë 5-1 Malin e Zi U-17 në ndeshjen e dytë miqësore mes dy skuadrave.
Pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga Armand Dama zhvilluan një ndeshje dominuese dhe arritën të shënonin pesë gola.
Shqipëria e nisi takimin me ritëm të lartë dhe në minutën e 21-të gjeti golin e avantazhit. Gentian Sharka u tregua i saktë para portës, duke dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë shpërthyen dhe brenda pak minutash e vunë ndeshjen nën kontroll të plotë. Në minutën e 48-të, Jon Ajvazi realizoi golin e dytë, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Sebastian Sina shënoi për 3-0.
Shqipëria nuk u ndal dhe vijoi presionin në kërkim të golave të tjerë. Në minutën e 77-të ishte radha e Albion Mujit për të gjetur rrjetën, ndërsa Haxhi Rrena vulosi rezultatin 5-0 në minutën e 86-të.
Mali i Zi arriti të shënonte golin e nderit vetëm një minutë më vonë, me Matija Sutje, por ky gol nuk ndryshoi asgjë në triumfin e kuqezinjve.
Në fund, Shqipëria U-17 fitoi 5-1, duke mbyllur në mënyrën më të mirë serinë e dy miqësoreve ndaj Malit të Zi, pas barazimit 2-2 në përballjen e parë.

