E hënë, 28 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Parlamenti hungarez u hap rrugë hetimeve, i heq imunitetin kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish ministrave

Parlamenti hungarez ka votuar këtë të hënën heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Péter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverisë së Viktor Orbanit, Balázs Hankó dhe Miklós Seszták, duke i hapur rrugë vijimit të hetimeve penale ndaj tyre.

Vendimet u miratuan me 139 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. Fidesz dhe KDNP nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

Në rastin e kryeministrit Péter Magyar, hetimi lidhet me një incident të ndodhur në qershor të vitit 2024 në një klub nate në Budapest. Sipas hetuesve, Magyar i mori telefonin një personi që po e filmonte dhe më pas e hodhi pajisjen në lumin Danub. Telefoni u nxor më vonë nga lumi. Magyar e ka kundërshtuar çështjen, por gjatë seancës parlamentare kërkoi vetë heqjen e imunitetit, duke deklaruar se dëshironte që rasti të trajtohej nga drejtësia.

Ndërkohë, Balázs Hankó, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit dhe deputet i Fidesz, po hetohet në një çështje që lidhet me dyshime për keqmenaxhim të fondeve publike në kuadër të Fondit Kombëtar të Kulturës. Prokuroria pretendon se përmes një strukture të lidhur me fondin janë shkaktuar dëme prej më shumë se 17 miliardë forintësh ndaj buxhetit të shtetit. Hankó i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar procedurën si të motivuar politikisht.

Miklós Seszták, ish-ministër i Zhvillimit Kombëtar dhe deputet i KDNP-së, përballet me një hetim për dyshime për korrupsion të lidhur me kontrata të kompanisë shtetërore të autobusëve Volánbusz. Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij për hetimin mbi dyshimet për marrje ryshfeti dhe vepra të tjera penale. Seszták i ka mohuar akuzat.

Kërkesa për pezullimin e imunitetit të të tre deputetëve ishte paraqitur nga prokuroria më 22 shtator, ndërsa vendimi i parlamentit i lejon autoritetet të vijojnë procedurat hetimore. Vetë pezullimi i imunitetit nuk përbën vendim për fajësinë e tyre, por heq pengesën procedurale që lidhet me ndjekjen penale.

Vendimi vjen në një moment të rëndësishëm të politikës hungareze, pasi qeveria e drejtuar nga Magyar ka deklaruar se synon të hetojë raste të dyshuara korrupsioni që lidhen me periudhën e gjatë të qeverisjes së Viktor Orbanit.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.