Nënkryetari i Kuvendit, Gjekmarkaj: Ambasadori amerikan do të fusë Shqipërinë në shina, janë të shokuar nga korrupsioni
Deputeti i PD-së dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, e sheh emërimin e Eric Wendt si ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri si një sinjal të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai deklaroi se eksperienca e Wendt dhe qasja e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj Shqipërisë mund të ndikojnë, sipas tij, në rikthimin e vendit në atë që ai e cilëson si “shina kushtetuese” dhe “normalitet”.
”Ambasadori i ri i SHBA është një personalitet, një gjeneral, që ka udhëhequr trupa në fronte të nxehta konflikti. Është një vlerësim që i është bërë Shqipërisë nga administrata e Presidentit Trump”, u shpreh Gjekmarkaj në ”A2cnn”.
Sipas deputetit demokrat, autoriteti i ambasadorit të ri, i kombinuar me atë që ai e përshkruan si politikë të re amerikane ndaj Shqipërisë, mund të sjellë një qasje të ndryshme. ”Mendoj që autoriteti dhe personaliteti i tij, por edhe politika e re amerikane, e cila e sheh Shqipërinë si një vend mik dhe aleat, do të ndikojë në kthimin e Shqipërisë në shina kushtetuese, në shina normaliteti”, tha ai.
Gjekmarkaj u ndal gjithashtu te hetimet që lidhen me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, duke përmendur rolin e institucioneve amerikane të zbatimit të ligjit. ”Organe si FBI dhe të tjera veprojnë, kanë marrëdhënie mendoj, kanë marrëdhënie me organet e sigurisë në Shqipëri. Ata duhet të jenë të shokuar për çfarë ka ndodhur në këto nivele, sepse është e pazakontë”, deklaroi deputeti.
Ai përdori një krahasim me institucionet amerikane për të ilustruar rëndësinë që ka çështja. ”Është sikur shefi i CIA-s të bashkëpunonte me një kriminel të rangut të lartë, apo të kontrollohej nga krimi i organizuar, kjo që ka ndodhur në Shqipëri”, përfundoi Gjekmarkaj.

