Policia ka goditur sot 6 lokale në zona të ndryshme të Tiranës, pranë shkollave, ku viheshin baste sportive në mënyrë të paligjshme përmes celularëve. Operacioni i koduar “Barriera” përfundoi me 8 persona të arrestuar.

Në pranga u vunë M. M., 20 vjeç dhe S. A., 23 vjeç, të dy punonjës në dy prej lokaleve të kontrolluara. Po ashtu, u arrestuan D. V., 24 vjeç, B. Ç., 42 vjeç, E. S., 43 vjeç, A. D., 26 vjeç, E. B., 24 vjeç dhe O. A., 21 vjeç, të cilët u kapën në ambientet e lokaleve duke vënë baste.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan nëntë celularë me faqe aktive për lojëra fati, si dhe pajisja ku ruheshin pamjet e kamerave të sigurisë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë.

Hetimet dhe kontrollet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Njoftimi i plotw i Policisw sw Shtetit

"Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë vijojnë kontrollet dhe veprimet intensive për garantimin e sigurisë në dhe pranë institucioneve arsimore, si dhe për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që zhvillohen në këto zona.

Finalizohet operacioni i koduar “Barriera”. Zbulohen 6 lokale ku luheshin lojëra fati.

Vihen në pranga 8 shtetas dhe sekuestrohen 10 pajisje.

Si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera me metoda proaktive, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së lokaleve, veçanërisht atyre në afërsi të institucioneve arsimore, për lojëra fati ilegale, me celularë, kompjuterë dhe/ose makineta, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Barriera”.

Në kuadër të këtij operacioni u zbulua se në 6 lokale në zona të ndryshme të kryeqytetit, në afërsi të shkollave, viheshin baste sportive, me celularë.

Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 20 vjeç dhe S. A., 23 vjeç, punonjës në 2 prej lokaleve, si dhe shtetasit D. V., 24 vjeç; B. Ç., 42 vjeç; E. S., 43 vjeç; A. D., 26 vjeç; E. B., 24 vjeç dhe O. A., 21 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në ambientet e subjekteve, duke vënë baste.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga këto ambiente, pajisje DVR dhe 9 celularë me faqe aktive për lojëra fati.

Hetimi dhe kontrollet vijojnë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"