Ardhja e ambasadorit amerikan Eric Wendt në Tiranë do të reflektojë sërish natyrën aktive të SHBA-ve, thotë juristi Kreshnik Spahiu. Në analizën e tij në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, ai shprehet se protagonizmi do të jetë më i lartë sesa i Yuri Kim, por i kanalizuar në të tjera çështje.
“Roli i ambasadorit Eric Wendt do të jetë vendimtar. E para, s’ka ndodhur ndonjëherë që një ambasador i SHBA-ve të jetë pasiv. E dyta, në presidencën e Trump çdo ambasador është më aktiv se demokratët. Ai vjen për të qenë më aktiv se Yuri Kim. Edhe pse nuk është diplomat karriere, por është ushtarak, protagonizmi i tij do të jetë më ndryshe për organizimin e samitit të NATO-s, luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e marrëdhënieve të biznesit amerikan. Nuk besoj se do të jetë pasiv, është jashtë natyrës së SHBA-ve”, tha Spahiu.
Sipas juristit, mbërritja e ambasadorit po ndodh në kohën e duhur me zhvillimet e fundit në vend. Spahiu mendon se tanimë edhe mbështetja për Prokurorinë e Posaçme do të jetë më e fortë.
“Amerikanët e konsiderojnë produktin e tyre SPAK-un, por në thelbin e vet shkon në origjinë. Mendoj që mbështetja financiare, politike, diplomatike për SPAK-un do të jetë më e fortë. Është me fat Shqipëria që i ka ardhur ambasadori amerikan sepse i ka ardhur mentori, është ai që zgjidh krizat. Do të jetë më autoritar se Donaldi dhe Yuri”, thotë Spahiu.
Për opozitën, entuziazmi nuk reflektohet njësoj. Spahiu shprehet se gjithçka mbetet për t’u parë në ceremoninë e pritjes, por për figurat nga opozita që do të mungojnë, shenjat s’janë të mira.
“Mbetet për t’u parë kush do të jetë pjesë e ceremonisë dhe kush do të mungojë. Kjo është lakmuesi i parë. Uroj të jenë të gjithë pjesë, por nëse njëri mungon, në 3 vitet e mandatit të Wendt nuk do të jetë pjesë”, përfundoi Spahiu.
Tashmë Eric Wendt ka marrë detyrën si ambasador i SHBA-ve në Tiranë duke pasuar në këtë detyrë Yuri Kim. Në një bisedë në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Kreshnik Spahiu bëri një analizë të 11 ambasadorëve amerikanë që kanë shërbyer në vendin tonë duke veçuar karakteristika të tyre.
Sipas tij, Wendt do të ketë ngjashmëri me ambasadorin James F. Jeffrey, i cili kishte shumë autoritet. Juristi kujton edhe një bisedë me ish-ambasadorin, kur Spahiu ishte i angazhuar me lëvizjen kundër qeverisë së Fatos Nanos dhe i kërkonte mbështetje.
“I pata thënë atëherë gjatë kafes, si ka mundësi që nuk na mbështesni më fort që të largohet Nano dhe të vijë Berisha se Nano është shumë i korruptuar? Më tha ne kemi disa prioritete të tjera, në vlerësimin tonë mes Nanos dhe Berishës, Nano është vërtet shumë i korruptuar, por Berisha është i paparashikueshëm. Për ne amerikanët, ne duam stabilitet dhe është pak e rrezikshme. I thashë këta janë të vjetër dhe shumë shpejt do të largohem. Atëherë isha i ri, nja 30 vjeç. Më tha do të shkosh, 50-60, të gjithë këta që sheh ti, Ramën, Berishën, Metën, do i kesh këtu. Mbaje mend se do të më kujtosh”, rrëfeu Spahiu.










Komente
Komento