
Nga Engjëll SERJANI
Dhjetë vjet pas studimit të parë, një grup pune në Janinë kërkon rishikimin e projektit që synonte lidhjen hekurudhore të portit të Igumenicës me Janinën dhe Gjirokastrën
Ideja e një lidhjeje hekurudhore ndërkufitare mes Epirit dhe Shqipërisë së Jugut është rikthyer në diskutimin publik në Janinë. Në një takim të Grupit të Punës për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit të Prefekturës së Janinës është hedhur propozimi për përditësimin e studimit të vitit 2016, i cili parashikonte një lidhje hekurudhore nga porti i Igumenicës, përmes Janinës dhe Kakavijës, deri në Gjirokastër.
Nuk bëhet fjalë për një projekt të ri të hartuar nga e para. Baza e diskutimit të sotëm është një studim i kryer dhjetë vjet më parë në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Territorial Evropian Greqi–Shqipëri 2007–2013. Studimi u porosit më 15 prill 2016 dhe u dorëzua më 14 shtator të po atij viti nga Rajoni i Epirit.
Një ide e vjetër në një realitet të ri
Studimi u ndërmor nga Rajoni i Epirit, në kuadër të programit Interreg Greqi–Shqipëri 2007–2013, me nismën e atëhershme të zv/guvernatores rajonale Tatiana Kalogianni.
Në vitin 2018, Kalogianni fliste për një zotim verbal të Sekretarit të Përgjithshëm të Infrastrukturës për përfshirjen e linjës në rrjetet transeuropiane, por kjo nuk ishte vendim për ndërtimin e projekit. Ishte thjesht një ide në kontekst rajonal, ku transporti ndërkufitar, portet, turizmi dhe lidhjet infrastrukturore me Ballkanin Perëndimor kanë marrë një rëndësi të re.
Sipas propozimit aktual të Grupit të Punës, hapi i parë duhet të jetë përditësimi i studimit të vitit 2016, duke rishikuar kostot, kërkesën për transport, parametrat teknikë, burimet e mundshme të financimit dhe lidhjen e projektit me rrjetet moderne evropiane të transportit.
Studimi i vjetër nuk ishte thjesht një ide politike. Ai përfshinte vlerësimin e gjendjes ekzistuese, një parametër paraprak të trasesë, buxhetimin e veprave dhe një analizë të qëndrueshmërisë ekonomike të projektit. Vetë Rajoni i Epirit e përcaktonte si synim të studimit identifikimin e faktorëve që do të mundësonin vlerësimin e raportit kosto–përfitim dhe krahasimin me alternativa të tjera infrastrukturore.
Çfarë parashikonte studimi i vitit 2016?
Projekti parashikonte lidhjen e portit të Igumenicës – Parkut Industrial të Igumenicës – Universitetit të Janinës – Aeroportit të Janinës – Kakavijës – Gjirokastrës.
Në pjesën Janinë–Gjirokastër, studimi parashikonte një gjatësi prej rreth 72,5 kilometrash. Për këtë segment parashikoheshin dy tunele të mëdha me gjatësi të kombinuar rreth 10,3 kilometra, nëntë tunele me gërmim të hapur me rreth 4,6 kilometra dhe 26 ura të vogla rrugore e hekurudhore.
Për të gjithë aksin e studiuar nga Igumenica drejt Gjirokastrës, dokumentacioni teknik jep një gjatësi totale prej rreth 147,5 kilometrash, të ndarë në segmentet Igumenicë–Parku Industrial, Parku Industrial–Janinë dhe Janinë–Gjirokastër.
Në konceptin e projektuesve, linja nuk do të shërbente vetëm për transportin e pasagjerëve. Ajo do të krijonte edhe një korridor të mundshëm për transportin e mallrave, duke lidhur portin e Igumenicës me tregjet e Epirit dhe, përmes Gjirokastrës, me jugun e Shqipërisë.
Çfarë ndodhi me projektin pas vitit 2016?
Këtu historia bëhet më interesante.
Studimi i Rajonit të Epirit nuk u shoqërua me një vendim të qeverisë qendrore greke për ndërtimin e hekurudhës. Përkundrazi, burimet greke të kohës dhe dokumentimi i mëvonshëm tregojnë se pati një përplasje mes prioritetit të Rajonit të Epirit dhe qasjes së institucioneve kombëtare hekurudhore.
Sipas një raportimi të mëvonshëm të medias greke Typos, OSE dhe ERGOSE kundërshtuan që në fillim nismën e Rajonit të Epirit dhe mbështesnin një lidhje të Greqisë me Shqipërinë përmes Maqedonisë Perëndimore, në aksin Florinë–Kristallopigi–Pogradec.
Pra, është më e saktë të thuhet se në vitin 2016 projekti ishte një nismë e Rajonit të Epirit e mbështetur përmes një studimi të financuar në kuadër të bashkëpunimit territorial evropian, dhe jo një projekt i miratuar nga qeveria greke në Athinë.
Në vitin 2018, Tatiana Kalogianni deklaronte se kishte një zotim verbal nga Sekretari i Përgjithshëm i Infrastrukturës, Giorgos Dedes, për përfshirjen e linjës në rrjetet transeuropiane të transportit. Por edhe kjo nuk përbënte një vendim për financimin apo ndërtimin e hekurudhës.
Dy alternativa për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë
Kjo e vendos projektin e Epirit në një konkurrencë më të gjerë infrastrukturore brenda Greqisë.
Një alternativë e diskutuar nga institucionet qendrore ishte lidhja drejt Shqipërisë përmes Maqedonisë Perëndimore, në drejtimin Florinë–Kastoria–Kristallopigi. Kjo alternativë lidhej me konceptin e të ashtuquajturës “Hekurudha Egnatia”, që synonte lidhje më të gjera lindje–perëndim në Greqinë veriore.
Ndërkohë, propozimi i Epirit mbështetej në një logjikë tjetër: lidhjen e drejtpërdrejtë të portit të Igumenicës me Janinën dhe më tej me Gjirokastrën e Shqipërisë së Jugut.
Pikërisht kjo histori duhet mbajtur parasysh edhe sot: rikthimi i projektit nuk është thjesht ringjallje e një ideje të harruar, por edhe rihapje e një debati të vjetër mbi cilin korridori hekurudhor duhet të ketë përparësi në lidhjen e Greqisë me Shqipërinë.
Çfarë ndryshon sot?
Një nga argumentet e reja të përdorura për rishikimin e projektit është zhvillimi i rrjetit hekurudhor shqiptar dhe perspektiva e forcimit të lidhjeve të Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit.
Në këtë këndvështrim, lidhja Janinë–Kakavijë–Gjirokastër mund të shihet jo vetëm si një projekt lokal grek apo shqiptar, por si pjesë e një korridori më të gjerë ndërkufitar.
Studimi i vitit 2016 e shihte gjithashtu lidhjen Igumenicë–Janinë si një vazhdim të mundshëm të të ashtuquajturës “Hekurudhë Egnatia”, me perspektivën e lidhjes së saj më tej me rrjetin hekurudhor grek përmes Kalambakës dhe Thesalisë.
Nëse ideja do të ringjallej realisht, ajo do të kërkonte një studim krejt të ri të fizibilitetit, pasi kostot, standardet teknike, kërkesa për transport, projektet e porteve dhe prioritetet e rrjeteve evropiane kanë ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2016.
Nga propozimi te një studim i ri
Për momentin, ajo që është në tryezë është përditësimi dhe rivlerësimi i një projekti ekzistues, jo vendimi për ndërtimin e hekurudhës.
Kjo është edhe arsyeja pse diskutimi i zhvilluar në Janinë ka interes për të dyja anët e kufirit. Për Shqipërinë e Jugut, një lidhje hekurudhore me Janinën dhe portin e Igumenicës do të hapte një mundësi të re transporti për Gjirokastrën dhe zonat përreth; për Epirin, projekti do të krijonte një dalje të re hekurudhore drejt jugut të Shqipërisë.
Pas dhjetë vitesh, projekti del kështu nga arkivat për t'u përballur me një pyetje shumë më konkrete se ajo e vitit 2016: a kanë ndryshuar kushtet ekonomike, infrastrukturore dhe evropiane aq sa një ide e atëhershme të mund të rivlerësohet sot si një projekt real ndërkufitar?
Përgjigjen nuk e jep ende takimi i Janinës. Ajo do të kërkojë një studim të ri tekniko - ekonomik dhe natyrisht edhe një mbështetje të qeverisë në Athinë.
