Një ditë pasi kryeministri Edi Rama iu adresua shqiptarëve me një mesazh për çështjen e Vlora Hysenit dhe pohoi se nuk ka asnjë përgjegjësi për veprimet e saj, PD me anë të Gazment Bardhit i është drejtuar me disa pyetje publike. Bardhi kërkon shpjegime nga Rama lidhur me emërimin e Hysenit dhe veprimtarinë e saj në krye të SHISH.
“Kush e vuri, Vlora Hysenin në shërbim të Ergys Agasit? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër? Kush e mban përgjegjësinë nëse sot grupet kriminale në vend kanë në duart e tyre informacion mbi rrjetin e informatorëve të SHISH-it në gjithë Shqipërinë? Kush e mban përgjegjësinë nëse operacione të Shërbimit Informativ të Shtetit janë dekonspiruar për llogari të krimit të organizuar? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?
Meqë e vetmja strategji e Edi Ramës është të bëjë sikur nuk di gjë dhe se të gjitha ndodhin pas shpinës së tij, dua t’ju kujtoj se, sipas Kushtetutës, Kryeministri ka përgjegjësi të përcaktuara qartë, ndër të cilat edhe sigurimin e zbatimit të ligjit dhe kontrollin e punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të drejtuesve të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit”. (A2 Televizion)