Protestuesit në Madrid kanë ngritur rreth 100 çadra në sheshin Puerta del Sol, ku thonë se do të qëndrojnë për të vijuar presionin ndaj qeverisë së Pedro Sanchez për çmimet e larta të banesave dhe mbrojtjen e qiramarrësve.

Protesta vjen pasi dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit spanjoll të shtunën, të nxitur edhe nga rasti i 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga apartamenti ku kishte jetuar për 70 vjet.

Sipas Sindikatës së Qiramarrësve, prona ku jetonte Abascal u ble nga një kompani imobiliare, e cila i rriti qiranë me 275%, duke e çuar në 2,650 euro.

Pamjet e 87-vjeçares duke u nxjerrë nga banesa me barelë, pasi policia theu derën, shkaktuan reagime të shumta. E shtruar në spital që prej dëbimit, Abascal u dërgoi një mesazh protestuesve që po qëndrojnë në Puerta del Sol.

“Po ju kërkoj të gjithëve të jeni të guximshëm, të luftoni, të mbroni atë që na përket”, tha ajo në një video të publikuar nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit.

Protestuesit kërkojnë nga qeveria masa për uljen e kostove të strehimit, mbrojtjen e qiramarrësve dhe parandalimin e dëbimeve.

“Po kalojmë një situatë serioze në Spanjë”, tha Carlota, një 29-vjeçare që kaloi natën mes çadrave në shesh. Ajo kërkoi “t’i jepet fund vendosjes së kapitalit dhe fondeve të investimeve përpara njerëzve”.

Çmimet e banesave në Spanjë janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Në një dekadë, qiraja mesatare për metër katror pothuajse është dyfishuar, duke arritur në 15.10 euro në gusht, sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista.

Edhe çmimi për blerjen e një banese është rritur me më shumë se 50% gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 2,355 euro për metër katror, sipas të dhënave zyrtare.

“Është një situatë krejtësisht e papërballueshme”, tha Beatriz Blanco, 37 vjeçe, e cila tregoi se edhe në rrethin e saj kishte raste të njerëzve që nuk përballonin më qiranë.

Mes protestave, Sánchez pritet të paraqesë të martën një projektligj të ri për strehimin. Paketa pritet të përfshijë rinovimin automatik të kontratave të qirasë dhe kufizime të mëtejshme për dëbimet.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse masat do të marrin votat e nevojshme, pasi partia e Sanchez nuk ka shumicën në parlament. Një projektligj i ngjashëm u rrëzua më herët këtë vit.