
Sindikata e Gardës së Republikës së Shqipërisë u bashkohet grupimeve të tjera që kërkojnë mbështetje nga Qeveria, përmes rritjes së pagës, duke theksuar se shërbejnë çdo ditë (24/7) në misione me rëndësi të veçantë shtetërore, por paguhen pak.
"Sindikata e Gardës së Republikës përshëndet vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare dhe politikat e ndërmarra për përmirësimin e trajtimit financiar të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si Forcat e Armatosura dhe Policia e Burgjeve", thuhet në reagim.

Sipas tyre, çdo investim te uniformat që i shërbejnë shtetit është një vendim plotësisht i drejtë. Megjithatë, vërehet një disbalancë e ndjeshme në Pagën Bazë për gradë të efektivëve të Gardës së Republikës, në raport me strukturat homologe:
- Paga bazë e nivelit fillestar në Gardë (Inspektor) mbetet në kuotën 73,500 lekë.
- Ndërkohë, nivelet bazë me përvojë në FA arrijnë mbi 82,000 lekë, ndërsa në Policinë e Burgjeve paga bazë për gradat paralele të nivelit zbatues dhe drejtues paraqitet dukshëm më e lartë.

Punonjësit e Gardës së Republikës përmbushin çdo ditë një mision me rëndësi të veçantë shtetërore, duke garantuar (24/7) sigurinë e institucioneve qendrore dhe personaliteteve më të larta vendase e të huaja.
Pikërisht në funksion të këtij misioni, ata i drejtohen me besim institucioneve vendimmarrëse.

Sindikata kërkon që në hartimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2027, të planifikohet rishikimi dhe rritja e Pagës Bazë për gradë për punonjësit e Gardës së Republikës duke ruajtur ekuilibrin dhe dinjitetin e merituar brenda sistemit të sigurisë kombëtare.
