Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Sipas Prokurorisë Speciale, 9 të akuzuarit dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok. Nëntë të dyshuarit u arrestuan të dielën gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, në kuadër të rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Proluroria sqaron përmes një njoftimi zyrtar, se kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj 9 shtetasve është bërë mbi bazën e provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë. Organi I akuzës ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurat në kuadër të kompetencave të saj ligjore. Në njoftim thuhet se gjatë procedurës do të respektohen të drejtat e të gjithë personave të përfshirë, ndërsa informacionet që për shkak të fazës së hetimit nuk mund të bëhen publike do të mbeten konfidenciale.