
Parlamenti hungarez ka hequr imunitetin parlamentar të kryeministrit Peter Magjar duke i hapur rrugë një hetimi penal ndaj tij për një incident të ndodhur në vitin 2024. Bashkë me të, ju hoq imuniteti edhe dy ish-ministrave të qeverisë së Victor Orban, tani deputetë, Balazs Hanko dhe Miklos Sesztak. I pari po hetohet për keqpërdorim të parave publike në kohën kur ishte ministër kulture, ndërsa i dyti, përballet me një hetim të ndarë për korrupsion gjatë kohës kur ishte ministër i zhvillimit kombëtar.
Vendimi u miratua të hënën në një seancë të jashtëzakonshme, me 139 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Grupet parlamentare të Fidesz dhe KDNP nuk morën pjesë në votim. Çështja që përfshin kryeministrin Magjar lidhet me një incident të ndodhur më 21 qershor të vitit 2024, në një klub nate në Budapest, pak pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Sipas prokurorisë, Magjar u përfshi në një debat me një person që po e filmonte. Ai dyshohet se i mori telefonin dhe më pas e hodhi atë në lumin Danub. Prokuroria kishte kërkuar edhe më herët heqjen e imunitetit të Magjar, kur ai ishte deputet i Parlamentit Evropian, por kërkesa nuk ishte miratuar. Magjar e ka mohuar kryerjen e një vepre penale.
Madje, ai kishte kërkuar nga deputetët e partisë së tij, Tisza, të votonin pro heqjes së imunitetit, duke deklaruar se nuk kishte asgjë për të fshehur. (A2 Televizion)