Valmir Matoshi beson se Kosova duhet të rikthehet te fitorja në përballjen e radhës me Izraelin, ndërsa humbjen ndaj Austrisë e konsideron tashmë pjesë të së kaluarës.
Të lidhura
None found
Mesfushori i Sturm Grazit u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Austrisë dhe arriti të fitojë një penallti, të cilën Edon Zhegrova e shndërroi në gol.
Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Matoshi foli për paraqitjen ndaj Austrisë dhe theksoi rëndësinë e marrjes së tri pikëve në sfidën ndaj Izraelit.
Ai pranoi se ndeshja nuk ishte e lehtë për Kosovën, veçanërisht pasi skuadra nuk arriti të shfrytëzonte një mundësi të mirë shënimi në minutat e para. Sipas tij, më pas loja mori një tjetër rrjedhë dhe ekipi humbi disa topa të lehtë në të dyja pjesët.
Matoshi nënvizoi se ekipi duhet ta lërë pas këtë takim dhe të japë më shumë në sfidën e ardhshme. Ai u shpreh optimist se Kosova është skuadra më e fortë dhe se mund të sigurojë fitoren.
Ndeshja Izrael–Kosovë do të luhet të enjten, duke nisur nga ora 20:45.
