Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i ka thënë një komandanti të lartë të Hamasit, i cili mbahet i burgosur në Izrael, se do të kërkonte ekzekutimin e tij nëse do të merrte postin e ministrit të Mbrojtjes.
Bëhet fjalë për Hassan Salama, një prej komandantëve të lartë të krahut të armatosur të Hamasit, Brigadave Izz el-Deen al-Qassam.
Gjatë një takimi me Salaman, Ben-Gvir i ka thënë se dëshironte që ai të vritej dhe se, nëse do të kishte autoritetin përkatës, do të urdhëronte ekzekutimin e tij.
“Dua të të vras, do të të ekzekutoj”, dëgjohet t’i thotë Ben-Gvir komandantit të Hamasit në pamjet e publikuara.
“Unë do të jem ferri këtu”
Në një pjesë tjetër të deklaratës, ministri izraelit iu referohet sulmeve me bomba të vitit 1996 në Jerusalem, për të cilat Salama është akuzuar nga autoritetet izraelite.
Ben-Gvir tha se, kur ishte i ri, kishte protestuar kundër sulmeve dhe kishte kërkuar masa ndaj personave përgjegjës.
“Kur isha djalë, dola të protestoja, duke kërkuar që të merreshin masa ndaj njerëzve si ju. Sot e mbyll këtë cikël”, shprehet ai.
Më tej, Ben-Gvir e kërcënon Salaman se do të përballet me atë që ministri e cilëson si “ferr” në burg.
“Ndërsa ti mendon për virgjëreshat, do të shkosh në ferr, në ferr. Dhe unë do të jem ferri këtu”, i thotë ai.
Gjatë takimit, Ben-Gvir mbante në jakë edhe një distinktiv që paraqiste një lak litari.
Kush është Hassan Salama?
Pamjet e takimit u publikuan të dielën, më 27 shtator, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur datën e saktë kur është zhvilluar takimi.
Salama, me origjinë nga Gaza, është akuzuar nga Izraeli për organizimin e një serie sulmesh vetëvrasëse me bomba në vitin 1996, pas vrasjes nga Izraeli të Yahya Ayyash, një ekspert i Hamasit për prodhimin e bombave.
Sulmet shkaktuan vdekjen e dhjetëra izraelitëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve.
Gjykatat izraelite e dënuan Salaman me 48 dënime të përjetshme, si edhe 30 vite burg, duke e bërë një prej të burgosurve palestinezë me dënimet më të gjata të dhëna nga drejtësia izraelite.
Salama është përfshirë edhe në marrëveshjet e mëparshme për shkëmbimin e të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit, por Izraeli ka kundërshtuar lirimin e tij.












