Gjermania ka premtuar mbështetje të fortë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN), në një kohë kur gjykata po përballet me presion dhe sanksione nga Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se rregullat ndërkombëtare janë të forta vetëm nëse shtetet janë të gatshme t’i mbrojnë ato.
“Sidomos në një kohë kur institucionet ndërkombëtare po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, ne duhet t’i mbështesim ato së bashku me partnerët tanë globalë”, tha Wadephul.
Ai theksoi se Gjermania do të kontribuojë që GJPN-ja të vijojë punën edhe nën presion. Wadephul pritej të vizitonte selinë e gjykatës në Hagë dhe të takohej me homologun e tij holandez, Tom Berendsen.
Sipas ministrit gjerman, GJPN-ja luan një rol të rëndësishëm në rastet kur sistemet kombëtare të drejtësisë nuk janë në gjendje ose nuk janë të gatshme të ndjekin penalisht krimet më të rënda.
Shtetet e Bashkuara nuk e njohin juridiksionin e GJPN-së dhe kanë vendosur sanksione ndaj gjykatës dhe disa prej përfaqësuesve të saj. Uashingtoni e ka akuzuar gjykatën edhe për veprimtari me motive politike.
E themeluar në vitin 2002, GJPN-ja heton dhe ndjek penalisht krime të rënda ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Javën e kaluar, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje vendeve anëtare të GJPN-së të tërhiqen nga gjykata.
Lini një Përgjigje