Gazetari sportiv Fatjon Baze, i ftuar në emisionin “Mega Sport”, që transmetohet në A2 CNN dhe moderohet nga gazetari i njohur Altin Sulçe, komentoi fitoren e Shqipërisë ndaj Bjellorusisë.
Sipas tij, ky triumf ka një vlerë të veçantë për të ngritur moralin e ekipit kombëtar, i cili po kalonte një periudhë jo pozitive pas një serie rezultatesh negative.
“Fitorja vlen shumë për të ngritur moralin e futbollistëve, për arsye se që prej zyrtarizimit të trajnerit Maran, besueshmëria dhe pëlqyeshmëria ndaj tij kanë qenë mjaft të ulëta. Kjo situatë u rëndua edhe më shumë pas disfatave të rënda në miqësoret e verës. Por, për fat të mirë, sfida me Bjellorusinë shkoi mirë dhe morëm një tri pikësh të artë, edhe pse kundërshtari ishte mjaft i dobët”, u shpreh Fatjon Baze.
Ai shtoi se në këtë takim Shqipëria fitoi edhe një lojtar mjaft të mirë në krahun e majtë të mbrojtjes, Stavri Pilo.
“Nga formacioni i trajnerit më pëlqeu fakti që u besoi lojtarëve që kanë më shumë minuta aktivizimi në ekipet e tyre. Befasia ishte performanca mbresëlënëse e mbrojtësit Stavri Pilo në krahun e majtë, duke e bërë këtë pozicion të blinduar, duke pasur parasysh edhe konkurrencën me Mario Mitajn. Përveç fitores, fituam edhe një lojtar mjaft të mirë në prapavijë.
Gjithashtu, aktivizimi i Muçit ishte një zgjedhje perfekte, pasi është lojtari më në formë që kemi. Mjaftoi një rast dhe ai e shfrytëzoi në maksimum, duke shënuar me shumë klas. Mendoj se ai duhet të jetë pika jonë e referimit në repartin ofensiv”, përfundoi Fatjon Baze.
https://www.youtube.com/live/-uhALgh9nxE?si=pg-ejG_F8S1mAN-_
Lini një Përgjigje