Një histori e rëndë familjare u rrëfye këtë mesditë në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku 74-vjeçarja Pranvera Velmishi nga Rosokoveci foli për konfliktin e gjatë me vajzën e saj, akuzat për dhunë dhe përplasjen për pronën. E moshuara tregoi se për vite me radhë kishte heshtur për atë që, sipas saj, ndodhte brenda familjes, pasi kishte frikë ta denonconte të bijën.

“Kisha frikë nga vajza ime. Shenjat që më linte kur më godiste i fshihja. Gënjeja dhe thosha se isha rrëzuar”, rrëfeu mes lotësh 74-vjeçarja.

Sipas Pranvera Velmishit, konfliktet familjare u thelluan edhe më shumë për shkak të pronës. Ajo pretendon se vajza ka arritur të marrë firmat e familjarëve dhe se kjo situatë ka sjellë përçarje mes saj dhe djemve që jetojnë në Greqi.

“Shtëpinë e ndërtuan djemtë, por vajza ua mori të gjithë pasurinë. Pasi mashtroi babain, më mori edhe mua firmën për shtëpinë. Djemtë nuk na flasin më”, deklaroi 74-vjeçarja në studion e “Pa Gjurmë”.

Nëna tregoi se prej kohësh nuk ka më komunikim me djemtë e saj dhe se mungesa e tyre është një nga plagët më të mëdha që përjeton sot.

“Me djemtë nuk flas prej kohësh. Ata janë oksigjeni ynë. Më ka marrë malli t’ua dëgjoj zërin”, tha ajo e përlotur.

Në fund të rrëfimit, Pranvera i drejtoi një mesazh edhe vajzës, duke kërkuar që konfliktet të marrin fund dhe familja të bashkohet sërish.

“Thirri mendjes, bija ime, dhe të bashkohemi si më parë në familje”, ishte apeli i saj.

Një mesazh emocional ajo ua drejtoi edhe djemve, nipërve dhe mbesave, të cilët prej kohësh nuk i ka takuar.

“Dua t’ju dëgjoj zërin. Mos më harroni. Kam mall për nipërit dhe mbesat”, u shpreh 74-vjeçarja.

Je përballur me një padrejtësi? Mos hesht! Denonco rastin tënd në “Pa Gjurmë” dhe kontakto redaksinë në numrin: +355 69 995 5698.