Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se e ardhmja e Britanisë së Madhe në ekonomi, mbrojtje dhe siguri lidhet me një partneritet më të fortë dhe më të thellë me Bashkimin Evropian.
Duke folur në konferencën e Partisë Laburiste në Liverpool, Miliband tha se Europa nuk është vetëm një çështje gjeografike për Britaninë e Madhe, por edhe hapësira ku vendi ndan vlera dhe ndjek interesa të përbashkëta, nga klima dhe Lindja e Mesme, te tregtia dhe mbrojtja.
Ai theksoi se Britania do të vijojë të mbështesë Ukrainën dhe të kundërshtojë kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga Rusia.
“Ne nuk do t’u dorëzohemi kurrë kërcënimeve të Rusisë që të qëndrojmë mënjanë dhe të braktisim popullin e Ukrainës”, deklaroi Miliband.
Sipas tij, Londra është e angazhuar në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën, si në aspektin humanitar, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit europian.
Duke folur për marrëdhëniet mes Londrës dhe Brukselit, Miliband argumentoi se bashkëpunimi me vendet europiane është i rëndësishëm për mbrojtjen e aleancave dhe interesave britanike.
“E ardhmja jonë qëndron në një partneritet më të fortë dhe më të thellë me Bashkimin Evropian”, tha ai, duke e lidhur këtë qasje me ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë.
Në fjalimin e tij, ministri i Jashtëm britanik iu drejtua gjithashtu qytetarëve të shqetësuar për situatën e palestinezëve, duke deklaruar se shqetësimet e tyre janë dëgjuar.
Ndërkohë, ministri britanik për marrëdhëniet me BE-në, Hamish Falconer, tha se shpreson të arrihet një “marrëveshje e arsyeshme” që Britania e Madhe të mos përjashtohet nga skema e propozuar “Made in Europe”.
Skema parashikon orientimin e kontratave publike dhe subvencioneve të BE-së kryesisht drejt prodhuesve që operojnë brenda bllokut.
Kryeministri britanik Andy Burnham i ka bërë thirrje BE-së të shmangë atë që e ka cilësuar si “dëm anësor” për industrinë britanike.
Falconer tha se skema është ende në fazën e propozimit dhe se, sipas tij, nuk ka arsye për shqetësim të madh përpara se negociatat të avancojnë.

