Ministrja Spahiu në Shkodër: Të rinjtë që dalin nga përkujdesja sociale, mbështetje për një jetë të pavarur
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi këtë të hënë “Shtëpinë Familje për të Rinj 16–18 vjeç” në Shkodër, ku u njoh me përditshmërinë, talentet dhe planet për të ardhmen të të rinjve që marrin shërbim në këtë strukturë.
Spahiu theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që përfundojnë qëndrimin në sistemin e përkujdesjes sociale, duke nënvizuar nevojën për t’i shoqëruar ata edhe pas moshës 18 vjeç me orientim dhe formim profesional, aftësim për punë dhe mundësi konkrete për integrim në tregun e punës.
“Mendoj që këta i kanë të gjitha mundësitë dhe të gjithë mbështetjen tuaj që të realizojnë atë që ata kanë menduar për të ardhmen e tyre. Janë në një moshë që duhet të marrin një drejtim. Dhe mendoj që veçanërisht pas 18 vjeç, ata duhet të dinë se çfarë do të bëjnë në të ardhmen e tyre, çfarë drejtimi do të marrin, profesional, cila do të ishte mënyra më e mundur që të integrohen sa më shpejt në tregun e punës, që të kenë mundësi të krijojnë të ardhmen e tyre, familjen e tyre”, tha Spahiu.
Gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë folën për shkollimin, interesat dhe aspiratat e tyre. Njëri prej tyre tha se ndjek shkollën profesionale “28 Nëntori”, ndërsa një tjetër u shpreh se dëshiron të hyjë në ushtri. Në bisedën me stafin, u evidentua edhe roli i punonjësve socialë, psikologëve dhe kujdestarëve në krijimin e një mjedisi mbështetës për të rinjtë.
“Çdo gjë që ju keni nevojë ta diskutoni me dikë, duhet patjetër ta diskutoni këtu midis jush. Këtë dashuri dhe këtë mbështetje që ju e gjeni këtu ta shfrytëzoni për t’u bërë njerëz të mirë. Ju do ta keni të ardhmen e sigurt, sepse këtu keni njerëz që ju mbështesin, që janë njerëz me vizion”, tha Spahiu.

