George dhe Amal Clooney festuan më 27 shtator 12-vjetorin e martesës. Çifti u martua në Venecia në vitin 2014 dhe, tre vjet më vonë, u bënë prindër të binjakëve Alexander dhe Ella.
Pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale dhe udhëtimeve të shpeshta, George dhe Amal vendosën që në fillim të martesës të ndiqnin një rregull të thjeshtë: të mos qëndronin më shumë se një javë larg njëri-tjetrit.
Në vitin 2015, George tregoi se marrëveshja ishte pjesë e mënyrës së tyre për të ruajtur ekuilibrin mes karrierës dhe jetës martesore.
“Thjesht duhej të binim dakord për oraret tona. Marrëveshja jonë është që nuk mund të jemi larg njëri-tjetrit për më shumë se një javë. Deri tani, ka funksionuar mjaft mirë”, ishte shprehur aktori në atë kohë.
Megjithatë, ai pranoi se zbatimi i këtij rregulli nuk ishte gjithmonë i lehtë, veçanërisht për shkak të angazhimeve profesionale të Amal.
Sot, çifti kalon një pjesë të konsiderueshme të kohës me fëmijët në Francë, ku zotërojnë Domaine du Canadel, një pronë pranë Brignoles, të blerë në vitin 2021.
George dhe Amal kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm për të mbajtur jetën familjare larg vëmendjes së publikut. Privatësia është bërë edhe më e rëndësishme për ta pas lindjes së binjakëve.
Në një intervistë për “Glamour” në vitin 2025, Amal foli për vështirësinë në rritje për të ruajtur momente private në një kohë kur telefonat dhe rrjetet sociale janë gjithnjë të pranishme.
Ajo tregoi se familja shpesh preferon t’i presë miqtë në shtëpi, ku mund të krijojnë një ambient më privat dhe të qetë. Madje, në shtëpinë e tyre kanë edhe një shportë ku të ftuarit mund të lënë telefonat gjatë qëndrimit.
Amal ka theksuar gjithashtu se prindërimi ka forcuar vendosmërinë e çiftit për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve.
“Ne nuk i ekspozojmë fëmijët tanë ndaj publikut, nuk kemi publikuar kurrë fotot e tyre apo diçka të tillë”, është shprehur ajo.
Për çiftin, ruajtja e një hapësire private familjare mbetet një nga prioritetet, pavarësisht famës ndërkombëtare dhe angazhimeve të tyre profesionale.

