web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zbardhen diskutimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ja 4 pikat kyçe

28 Shtator 2026, 17:21, Politikë CNA

Zbardhen diskutimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, thirri këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Ky zhvillim erdhi pas publikimeve të bujshme të bëra prej një javë për çështjen e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.

Siç bëhet me dije përmes një njoftimi nga Zyra e Shtypit të Presidencës, Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.

"Në takim u konkludua se: 

Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.

Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.

Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.

Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve",-theksohet në njoftim./CNA 





Lajmet e fundit nga