Një infermiere 61-vjeçare ka ndryshuar një pjesë të dëshmisë së saj për ngjarjet që ndodhën në klinikën ku humbi jetën këngëtari i njohur grek, Giorgos Mazonakis.
Infermierja, e cila punonte me kohë të pjesshme në klinikën në rrugën Karneadou, dëshmoi sot para hetuesit të çështjes. Ndryshe nga dëshmia e saj fillestare, ajo tani ka deklaruar se nuk ishte larguar nga klinika në orën 16:15, por kishte qëndruar aty edhe kur Mazonakis pësoi arrest kardiak.
Sipas dëshmisë së raportuar nga mediat greke, pas përkeqësimit të gjendjes së këngëtarit në klinikë u krijua panik. Mjekja 56-vjeçare, e cila ndodhet në paraburgim, dyshohet se thirri punonjëset që të shkonin në dhomën ku ndodhej Mazonakis.
Infermierja ka deklaruar gjithashtu se pas ngjarjes, një mjek 58-vjeçar iu drejtua punonjëseve duke u thënë: “Një njeri vdiq dhe jemi të gjithë bashkëpërgjegjës.”
Ndërkohë, një tjetër infermiere, 53-vjeçare me origjinë nga Ukraina, pritet të dëshmojë në ditët në vijim. Dëshmitë e punonjëseve konsiderohen pjesë e hetimit për të zbardhur rrethanat e minutave të fundit të jetës së këngëtarit.













