Një prej filmave më të dashur të kinematografisë shqiptare, “Mimoza Llastica”, është rikthyer në ekran në një version të restauruar në 4K, më shumë se gjysmë shekulli pas realizimit të tij.
Filmi i regjisores Xhanfise Keko, një prej emrave më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare për fëmijë, vijon të ruajë edhe sot një lidhje të veçantë me publikun. Gjuha e sinqertë dhe ndjeshmëria me të cilën është trajtuar historia kanë bërë që filmi të mbetet pjesë e kujtesës së disa brezave.
Restaurimi i filmit u realizua në Romë, me mbështetjen financiare të Teuta Doçit, një prej vajzave që luajtën në film dhe që iu bashkua e para nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit “Adopto një film për restaurim”.
Për Doçin, rikthimi i filmit në një version të restauruar ishte një emocion i veçantë, pasi ajo ishte pjesë e tij 53 vite më parë.
“Mendova pse të mos e bëj restaurimin e një filmi ku unë isha pjesëmarrëse para 53 vitesh. Ishte një emocion i rrallë. E bëra me shumë kënaqësi. Falënderimi u takon atyre që realizuan këtë film. Ne ishim tetë vajza të vogla dhe ata u morën me ne me shumë dashuri”, tha Teuta Doçi.
Ndërkohë, drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, vlerësoi punën e gjatë të realizuar për restaurimin e filmit, duke theksuar rëndësinë që ai mbart edhe për shkak të aktorëve të vegjël dhe punës së regjisores Xhanfise Keko.
“Ka qenë një punë e gjatë restaurimi i këtij filmi, që përbën një kureshtje sa i përket aktorëve të vegjël, Xhanfise Keko, që u mor me këtë film, e të tjerët”, u shpreh Tanini.
Versioni i restauruar në 4K i “Mimoza Llastica” u shfaq si filmi përmbyllës i Tirana International Film Festival. Në natën finale të festivalit u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për filmat, regjisorët dhe aktorët më të mirë të edicionit.
Rikthimi i filmit në ekran, në një cilësi të re teknike, solli kështu edhe një herë para publikut një prej veprave që ka lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare për fëmijë.

