Këshilli Bashkiak i Belshit ka kundërshtuar bashkimin e Bashkisë Belsh me Bashkinë e Elbasanit, duke shprehur qëndrimin se Belshi duhet të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë e vetëadministrimit.
Në mbledhjen e zhvilluar për këtë çështje, 7 këshilltarët e Partisë Demokratike votuan kundër bashkimit, ndërsa 10 këshilltarët e Partisë Socialiste abstenuan.
Të lidhura
None found
Gjatë diskutimeve, këshilltarët e të dyja forcave politike paraqitën argumentet e tyre mbi të ardhmen administrative të Belshit. Në fokus të qëndrimeve të tyre ishte potenciali turistik i zonës, si dhe nevoja që bashkia të vijojë administrimin e saj në mënyrë të pavarur.
Sipas këshilltarëve, një reformë e tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë te banorët dhe, përpara marrjes së një vendimi, duhej të ishte kryer një studim i detajuar mbi pasojat që bashkimi do të sillte në jetën e komunitetit.
Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Belsh. Ata paraqitën argumentet e tyre lidhur me kriteret administrative, popullsinë dhe elementët që, sipas tyre, mbështesin vijimin e Belshit si njësi më vete e vetëadministrimit.
Mbledhja nuk kaloi pa debate mes këshilltarëve. Një prej pikave që shkaktoi diskutime ishte qëndrimi i këshilltarëve socialistë, të cilët zgjodhën të abstenojnë në votim, ndërsa këshilltarët demokratë votuan kundër bashkimit.
