Ilaçet e së ardhmes mund të zhvillohen në hapësirë, prodhuesit përgatiten për fazën tjetër Një hartë gati pesë shekullore, e ruajtur brenda një Bible të shekullit të 16-të, ka rikthyer në vëmendje një prej mistereve më të mëdha fetare dhe historike, ku ndodhej Kopshti i Edenit, parajsa ku, sipas traditës biblike, jetuan Adami dhe Eva.
Sipas New York Post, harta gjendet në një Bibël të Gjenevës të vitit 1599 dhe mban titullin “Situata e Kopshtit të Edenit”. Ajo bazohet në një vizatim të vitit 1554, të krijuar nga reformatori protestant John Calvin.
Një koleksionist i librave fetarë antikë, i njohur në YouTube si Ashleys_AntiqueBibles, e cilësoi hartën si jashtëzakonisht të detajuar për kohën kur është krijuar.
Sipas hartës, Kopshti i Edenit ndodhej pranë burimit të lumit Eufrat, në rrëzë të malit Ararat, në territorin e Turqisë së sotme.
Kjo teori lidhet me përshkrimin në librin e Zanafillës, ku thuhet se nga Edeni dilte një lumë që më pas ndahej në katër degë, Pishoni, Gihoni, Tigri dhe Eufrati.
Ndërsa Tigri dhe Eufrati mund të identifikohen lehtësisht me lumenjtë e njohur të Mesopotamisë, identiteti i Pishonit dhe Gihonit mbetet ende objekt debati mes studiuesve.
Disa teori i kanë lidhur Pishonin me lumin Gang dhe Gihonin me Nilin, por një interpretim i tillë përballet me vështirësi gjeografike, pasi këta lumenj nuk takohen.
John Calvin kishte një interpretim tjetër të përshkrimit biblik. Ai argumentonte se referenca ndaj “burimeve” të lumenjve nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht vendet ku ata lindin, por mund t’u referohet edhe rrjedhave ose pjesëve të tyre të poshtme.
Sipas këtij interpretimi, Pishoni dhe Gihoni mund të ishin emërtime të ndryshme për pjesë të lumenjve Tigër dhe Eufrat.
Kjo do ta vendoste Kopshtin e Edenit në një zonë më të gjerë të Mesopotamisë, një rajon që njihet shpesh si “djepi i qytetërimit”.
Megjithatë, historiania e Universitetit të Wisconsin, Justine Angelique Walden, ka vënë në dukje se harta e Kalvinit nuk përcakton një perimetër të saktë të Kopshtit të Edenit, por tregon vetëm zonën e përgjithshme ku ai mendohej se mund të ndodhej.
Kërkimi për vendndodhjen e Kopshtit të Edenit ka çuar ndër vite në teori të shumta. Janë propozuar zona nga Afrika e Jugut dhe Gjiri Persik deri në Etiopinë veriperëndimore, pranë një dege të Nilit Blu.
Edhe pse teoria që e lidh Edenin me Eufratin dhe malin Ararat mbetet një prej interpretimeve të njohura, ajo nuk është konfirmuar nga të dhënat gjeologjike.
Shkencëtarët vlerësojnë se Eufrati i sotëm është formuar nga bashkimi i dy lumenjve që burojnë në rajonin e Turqisë. Ndërkohë, peizazhi dhe pellgjet ujore të rajonit kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë miliona viteve.
Për rrjedhojë, harta e Biblës së Gjenevës të vitit 1599 ofron një dëshmi interesante mbi mënyrën se si mendohej vendndodhja e Edenit në shekullin e 16-të, por nuk jep një përgjigje përfundimtare për misterin shekullor, ku ndodhej në të vërtetë Kopshti i Edenit?
Top Channel