Muli i shqetësuar nga reagimi i superdhëndrit ndaj Gysit

28 Shtator 2026, 19:19Antena TEMA

Reagimi i superdhëndrit ndaj Gysit dhe distancimi prej tij e shqetësuan edhe më shumë Mulin sot.

– Ky do të bënte mirë ta shmangte këtë reagim, – i tha Lelos. – Unë e besoj që ai mund të mos e ketë pasur mirë marrëdhënien me kushëririn dhe nuk e di kë ka djalë teze babai, se ai “babi” i thotë Doktorit.

– Ky nuk është problem, – tha Lelo. – Edhe unë, po të isha si ai, vjehrrit do t’i thosha “babi”. Puna është më e thellë. Puna është se prononcimi i dhëndrit tregon se Gysi ka punuar më shumë me Zenin sesa me Gitën dhe ky ka të drejtë. Ai ka shfrytëzuar krushqinë për të bërë biznes me Zenin. Të gjitha tokat e bllokuara të Zenit i ka marrë t’i zhbllokojë e t’i bëjë me leje. Kjo ka nxitur sherr brenda familjes. Kështu që dhëndri ka të drejtë. As i hyn në punë fare kushëriri. Ai i ka vjedhur edhe kunatin në këtë rast.

– E di, e di, e shoh nga dëshpërimi i TV-së, – tha Muli, – por kjo na hap telashe. Duhet ta shmangnim.

– Epo, ç’u bën këtu sherreve brenda familjes? – tha Lelo. – Në fund të fundit, nuk është puna jonë. Edhe ata kanë hallet e tyre. Në fund të fundit, edhe SPAK-u ka dy standarde. Këtë dhëndrin e masakroi, kurse Zenin s’e ka prekur. Duket që ka diçka që nuk shkon këtu. Ka të drejtë dhëndri.

– Duhet të gjejmë një mënyrë ta injorojmë tani. Tutje, – tha Muli, – se boll kemi hallet tona dhe këtë e kemi mangët. Në fund të fundit, ai nuk ka vetëm Luanin djalë teze, ka edhe të tjerë. S’do të rrimë të bëjmë lista tani.

– Dakord, – tha Lelo. – Por mos mendo se ai ka reaguar kot. E ka dyshuar që fjala ka dalë nga brenda PD-së dhe do t’u tregojë vendin.

– E kuptoj, – tha Muli, – por duhet të ruajmë unitetin. Kjo na dëmton. Ndaj duhet bërë kujdes të shmangen prononcime të tilla. Se nuk i them dot edhe të marrë leje tek unë para se të flasë. Po të ishte ndonjë tjetër, e dija unë ç’i bëja tani.

Lini një Përgjigje