Ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është përfshirë këtë vit në përpjekjet e administratës amerikane për të rritur eksportet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja drejt Europës dhe për të ulur varësinë e vendeve europiane nga energjia ruse.
Në kuadër të kësaj nisme, Guilfoyle ka udhëtuar në disa vende të Europës Juglindore, duke promovuar të ashtuquajturin “Korridor Vertikal të Gazit”, i cili synon të çojë gazin amerikan përmes Greqisë drejt vendeve të tjera të rajonit dhe më tej drejt Ukrainës.
Por gjatë këtyre takimeve, një person është shfaqur vazhdimisht pranë saj. Bëhet fjalë për 39-vjeçarin Christos Marafatsos, një lobist amerikan që punon për kompaninë greke Aktor Group, e cila është futur së fundmi edhe në biznesin e gazit.
Sipas një investigimi të “Wall Street Journal”, Marafatsos ka marrë pjesë në takime të Guilfoyle me zyrtarë të lartë europianë, përfshirë takime në Bullgari. Prania e tij ka qenë aq e shpeshtë, sa disa zyrtarë të huaj e kanë marrë për shefin e stafit të ambasadores. Në fakt, ai nuk është pjesë e stafit diplomatik amerikan.
Në muajt e fundit, Aktor Group ka kërkuar të zgjerohet në tregun europian të gazit. Në nëntor, kompania krijoi sipërmarrjen Atlantic-SEE LNG, së bashku me kompaninë greke të energjisë DEPA, ndërsa më pas nënshkroi memorandume dhe marrëveshje me kompani energjetike në Bullgari, Ukrainë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Rumani.
Në këtë periudhë hyn në histori edhe Shqipëria.
Sipas “Wall Street Journal”, në mars të këtij viti Guilfoyle zhvilloi një vizitë të panjoftuar publikisht në Tiranë. Ajo mbërriti në mbrëmje dhe, në vend të stafit të ambasadës, shoqërohej nga Christos Marafatsos dhe drejtori ekzekutiv i Aktor Group, Alexandros Exarchou.
Guilfoyle u takua me kryeministrin Edi Rama, ku, sipas gazetës, diskutoi për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe mundësinë e furnizimit të Shqipërisë me gaz amerikan.
Disa javë pas këtij takimi, qeveria shqiptare mori një email nga National Energy Dominance Council, një strukturë e administratës amerikane, ku sugjeroheshin kompani që mund të bashkëpunonin me Shqipërinë për blerjen e gazit amerikan.
Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, i tha “Wall Street Journal” se në këtë komunikim bëhej fjalë për një mundësi konkrete me Venture Global, kompaninë amerikane që kishte lidhur më herët marrëveshje me Aktor.
Më pas, në prill, Guilfoyle u rikthye në Tiranë. Këtë herë ajo mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes që do të lidhte Shqipërinë me furnizimin amerikan me LNG.
Bëhet fjalë për një marrëveshje 20-vjeçare me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, sipas së cilës kompania shtetërore shqiptare e gazit do të blejë rreth 1 miliard metra kub gaz në vit, të furnizuar nga kompania amerikane Venture Global. Marrëveshja u nënshkrua nga Venture Global dhe Aktor LNG USA, një strukturë e lidhur me Aktor Group.
Vetë Guilfoyle e prezantoi marrëveshjen si pjesë të axhendës energjetike të administratës Trump, duke deklaruar se ajo do të forconte sigurinë energjetike dhe kombëtare të Shqipërisë dhe të rajonit.
Pikërisht këtu qëndron edhe lidhja që ngre pikëpyetje në investigimin e “Wall Street Journal”: në kohën kur Guilfoyle po promovonte marrëveshjet për gazin amerikan në Europë, ajo shoqërohej në takime nga një lobist i paguar nga Aktor Group, ndërsa kjo kompani po kërkonte të zgjerohej në tregun europian të gazit.
Sipas të dhënave të cituara nga gazeta, Aktor i ka paguar Marafatsos 160 mijë dollarë, nga nëntori 2025 deri në qershor 2026, për të krijuar lidhje me administratën e presidentit Donald Trump, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Energjisë. Ky ishte angazhimi i tij i parë si lobist.
Ndërkohë, tre kompani të tjera greke e kanë angazhuar më pas Marafatsos, duke i paguar së bashku rreth 440 mijë dollarë gjatë këtij viti, sipas raportimit të gazetës.
“Wall Street Journal” ngre pikëpyetje mbi praninë e një lobisti privat në takimet diplomatike dhe mbi kufirin mes interesave të politikës amerikane për rritjen e eksporteve të LNG-së dhe interesave tregtare të kompanisë greke.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Guilfoyle dhe Aktor kanë kundërshtuar çdo pretendim për veprim të papërshtatshëm. Sipas tyre, ambasadorja po vepron në përputhje me interesat e SHBA-së për rritjen e shitjeve të gazit amerikan dhe uljen e varësisë europiane nga energjia ruse.













