Irani pritet të takohet me ndërmjetësit në Nju Jork

Nga A2 CNN
28 Shtator 2026, 19:50 | Bota

Irani pritet të takohet me ndërmjetësit në Nju Jork

Sipas mediave iraniane, delegacioni i Iranit, i kryesuar nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, do të takohet të hënën në Nju Jork me ndërmjetësues për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe çështjet e pazgjidhura.

Sipas një burimi të njohur me çështjen, të cituar nga agjencia iraniane WANA, takimet nuk do të përfshijnë negociata të drejtpërdrejta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Burimi ka hedhur poshtë raportimet se Teherani dhe Uashingtoni mund të zhvillojnë negociata në Nju Jork përmes ndërmjetësuesve. Sipas tij, delegacioni iranian do të përdorë takimet për të shqyrtuar zhvillimet e fundit dhe për të shkëmbyer qëndrime me palët ndërmjetësuese, shkruan A2CNN. 

Një nga çështjet kryesore në fokus është Ngushtica e Hormuzit. Sipas burimit të cituar nga WANA, Irani i ka paraqitur tashmë ndërmjetësit të Katarit qëndrimet, kushtet dhe propozimin e tij lidhur me rihapjen e ngushticës, gjatë një takimi të zhvilluar javën e kaluar.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se qëndrimi i Araghchi-t në Nju Jork nuk është zgjatur dhe se ministri do të kthehet në Teheran sipas orarit të parashikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos