AKTUALITET, 28 September 2026, 19:57

Vihet nën kontroll zjarri në Kreshpan të Fierit, shoqërohen në komisariat tre persona

Vatra e zjarrit e regjistruar ditën e sotme në Kreshpan të Fierit është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.

Për izolimin e flakëve u angazhuan zjarrfikësit dhe banorët e zonës, ndërsa në operacion u përfshi edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili ndërhyri nga ajri.

Aktualisht situata është stabilizuar, por zona vijon të konsiderohet e rrezikshme për shkak të sipërfaqes së djegur dhe vatrave të mbetura.

Forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë gjatë natës në terren për të monitoruar zonën dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.

Ndërkohë, në komisariat janë shoqëruar tre persona, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësinë lidhur me ngjarjen.