Maran ka një porosi për lojtarët: Duhet durim, të tregojmë respekt ndaj San Marinos!
Shqipëria përgatitet për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, teksa më 29 shtator, në orën 20:45, do të përballet me San Marinon. Në prag të takimit, trajneri i kuqezinjve, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp, ku ka kërkuar nga skuadra përqendrim maksimal dhe respekt ndaj kundërshtarit.
Tekniku italian theksoi se pavarësisht diferencave mes dy skuadrave, Shqipëria duhet ta trajtojë ndeshjen me seriozitet dhe të ketë durimin e nevojshëm për të zhbllokuar takimin.
“Shqipëria duhet të bëjë një ndeshje serioze, me përqendrim maksimal. Janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e skuadrës. Duhet durim i veçantë dhe shumë respekt për San Marinon”, u shpreh Maran.
Trajneri nuk ka preferuar të zbulojë mënyrën se si do të kërkojë ta thyejë mbrojtjen kundërshtare, duke nënvizuar se gjithçka do të varet nga situatat e krijuara në fushë.
“E rëndësishme është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të lexojmë situatat. Në varësi të tyre mund të përdorim edhe vertikalizimet”, deklaroi ai.
Sa i përket formacionit, Maran bëri të ditur se ka një ide për 11-shen titullare, por vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimit të fundit të gjendjes fizike të lojtarëve.
“As lojtarët nuk e dinë ende. Këto orët e fundit do të pres për të bërë matjet e fundit, sidomos sa i përket aspektit fizik”, tha trajneri.
Maran foli edhe për rëndësinë e qarkullimit të topit ndaj një kundërshtari që pritet të mbrohet i tërhequr. Sipas tij, Shqipëria duhet të krijojë hapësira dhe të shmangë gabimet. Në fund, trajneri vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve shqiptarë, duke theksuar se prania e tyre rrit përgjegjësinë e skuadrës për të dhënë maksimumin në fushë.

