Aksidentet u rriten këtë vit, tetëmujori me 983 aksidente, 6,2% më shumë se vjet; 1.378 të vrarë e të plagosur

28/09/2026 20:07

Aksidentet rrugore u pakësuan gjatë gushtit, por bilanci që nga fillimi i vitit është në rritje. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se muajin e kaluar ndodhën 139 aksidente, kundrejt 159 në gushtin e vitit të kaluar. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur ishte 191, nga 229 një vit më parë.

Nëse shihen së bashku tetë muajt e parë të vitit, aksidentet janë shtuar me 6,2 për qind. Nga janari në gusht u regjistruan 983 raste, ose 57 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. U rrit edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur: 1 mijë e 378, kundrejt 1 mijë e 306 një vit më parë. INSTAT nuk jep në këtë publikim një ndarje të veçantë mes viktimave dhe të plagosurve.

Sipas raportit, 86,3 për qind e aksidenteve të gushtit lidhen me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25 deri në 34 vjeç zë peshën më të madhe në numrin e aksidenteve, me 31,7 për qind të totalit. Dita me më shumë aksidente ishte e hëna, ndërsa orari me numrin më të lartë të rasteve ishte nga ora shtatë e mbrëmjes deri në mesnatë.

Në Tiranë, gjatë gushtit u regjistruan 33 aksidente, më pak se 51 rastet e një viti më parë. Por në bilancin tetëmujor, kryeqyteti numëron 369 aksidente, kundrejt 270 vitin e kaluar. Në Durrës, vetëm gjatë gushtit, aksidentet u trefishuan: nga 8 në 24 raste. Të dhënat, sipas INSTAT-it, janë paraprake dhe mund të përditësohen.

Top Channel