Flakët që përfshinë zonën e Kreshpanit në Fier janë neutralizuar pas ndërhyrjes nga ajri të një helikopteri të Forcave të Armatosura.
Për fikjen e zjarrit u angazhuan edhe rreth 100 banorë të zonës, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe dy automjete që punuan për izolimin e vatrave.
Sipas të dhënave nga Prefektura e Fierit, vatrat aktive janë shuar dhe situata në terren paraqitet nën kontroll.
Pavarësisht përmirësimit të situatës, ekipet zjarrfikëse nuk do të largohen nga zona. Ato do të monitorojnë territorin gjatë gjithë natës për të shmangur mundësinë e rindezjes së zjarrit.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me ullinj, ndërsa në kuadër të hetimeve për shkaqet e zjarrit, policia ka shoqëruar tre persona që dyshohet se mund të kenë lidhje me ngjarjen.














