Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Erisa Bajaziti, e ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka komentuar komunikimin publik të kryeministrit Edi Rama dhe fjalën e tij në një prej eventeve të zhvilluara gjatë ditës së sotme.
Bajaziti e cilësoi shqetësues mënyrën se si kryeministri po komunikon me publikun, duke thënë se Rama i ka zëvendësuar konferencat për shtyp me video-mesazhe.
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit në eventin e sotëm, Bajaziti tha se Rama e nisi fjalën e tij me atë që ajo e konsideron si ‘paranojë’, duke përmendur edhe zgjedhjen për të folur në anglisht.
Sipas saj, Rama shprehu frikën për përkthyesin dhe zgjodhi të fliste në anglisht, duke anashkaluar, sipas saj, publikun shqiptar që kërkon ta dëgjojë kryeministrin të flasë edhe në gjuhën shqipe.
Më tej, nënkryetarja e PD-së e krahasoi këtë qasje me atë të një ‘lypësi në dyert e Europës’, duke argumentuar se kryeministri duhet të fokusohet te forcimi i institucioneve shqiptare dhe zbatimi i reformave.
‘Në fakt është shumë shqetësuese sa herë e sheh kryeministrin të dalë në një video-mesazh, sepse ai me sa duket edhe në fakt mesazhin dhe komunikimin publik e ka shndërruar në diçka qesharake, sepse video-mesazhet, pra konferencat për shtyp i ka zëvendësuar me video-mesazhe.
Po, tek deklaratat. Dhe dua të dal tek mungesa e përmbajtjes së kryeministrit kur del në deklarata të tilla apo shfaqet në evente të rëndësishme si kjo e sotmja.
Në fakt kryeministri shqiptar e nisi fjalën e tij me paranojën që e mbizotëron tashmë tek figura e tij si kryeministër, duke e nisur fillimisht me frikën që kishte nga përkthyesi dhe preferoi që të fliste në anglisht, duke anashkaluar një publik shqiptar që kërkon ta dëgjojë kryeministrin të flasë edhe shqip. Ai gjithashtu u kërkoi aktorëve ndërkombëtarë në atë event që të mos e linin në baltë. Pra, i kërkon Bashkimit Europian të mos e lërë në baltë.
Dhe duket sikur kryeministri shqiptar është një lypës në dyert e Europës, e jo si një aktor që është duke punuar për të forcuar institucionet shqiptare. Sepse kjo është një kërkesë e qartë që vjen nga Bashkimi Europian.
Është një gjë të bësh ligje të mira dhe është diçka tjetër të zbatosh ligjet dhe reformat, sepse kjo do të ndihet direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë. Dhe kryeministri shqiptar, përpara se të bëjë parodi, le të flasë për cilësinë e institucioneve dhe për skandalet në të cilat po kalon sot Shqipëria, përpara se t'i flasi zyrtarëve të lartë, pra parlamentarëve që kanë qenë sot të pranishëm në atë event, për gangsterë rusë dhe lodra kineze.’, u shpreh Erisa Bajaziti në SYRI TV.
© SYRI.net