Një shqiptar shënon kundër Brazilit
Futbollisti me origjinë nga Kosova, Olti Hyseni, ka lënë gjurmën e tij në përballjen mes Danimarkës U20 dhe Brazilit U20, duke realizuar golin e vetëm të skuadrës daneze në testin miqësor të zhvilluar në Mursia të Spanjës.
Hyseni u shfaq në momentin e duhur në minutën e 32-të, duke tundur rrjetën dhe duke barazuar përkohësisht rezultatin. Megjithatë, Danimarka nuk arriti ta mbajë ritmin dhe në pjesën e dytë Brazili mori kontrollin e takimit, duke triumfuar në fund me rezultatin 4-1.
Për talentin 19-vjeçar, kjo ishte një tjetër paraqitje që konfirmon momentin e mirë që po kalon në futbollin danez. Hyseni është grumbulluar për herë të parë me Danimarkën U-20 në këtë periudhë, pasi më herët ka përfaqësuar vendin nordik në nivelet U16, U17, U18 dhe U19.
Sulmuesi është pjesë e Brondby IF, klub me të cilin firmosi në korrik të këtij viti një kontratë pesëvjeçare. Transferimi nga Sonderjyske u konsiderua historik nga ish-klubi i tij, ndërsa Brondby e cilësoi Hysenin si një lojtar të ri me potencial të madh.
I lindur në Sonderborg dhe i rritur në Danimarkë, Hyseni ka prindër nga Kosova. Në një intervistë të mëparshme, ai kishte deklaruar se ndihej danez dhe se fokusi i tij ishte përfaqësimi i Danimarkës.




