AKTUALITET /

Investigimi/ Si e ndihmoi ambasadorja amerikane në Greqi “Aktor Group”, të siguronte marrëveshjen 6 mld dollarëshe në Shqipëri

Marrëveshja u nënshkrua nga Venture Global dhe Aktor LNG USA, një strukturë e lidhur me Aktor Group

Shkruar nga Versus

Investigimi/ Si e ndihmoi ambasadorja amerikane në Greqi “Aktor

Një investigim i Wall Street Journal ngre pikëpyetje mbi rolin e një lobisti të kompanisë greke Aktor Group në takimet e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, gjatë përpjekjeve për të promovuar eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm në Europë.

Sipas gazetës amerikane, në disa prej takimeve të Guilfoyle me zyrtarë të lartë europianë ka qenë i pranishëm edhe Christos Marafatsos, 39 vjeç, një lobist amerikan i angazhuar nga Aktor Group. Prania e tij e shpeshtë pranë ambasadores ka bërë që disa zyrtarë të huaj ta konsideronin atë si pjesë të stafit të saj, megjithëse Marafatsos nuk është diplomat amerikan.

Guilfoyle ka udhëtuar gjatë këtij viti në disa vende të Europës Juglindore, në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për të rritur eksportet e LNG-së drejt Europës dhe për të ulur varësinë e vendeve europiane nga energjia ruse.

Në fokus të këtyre përpjekjeve është edhe “Korridori Vertikal i Gazit”, përmes të cilit synohet transportimi i gazit amerikan nga Greqia drejt vendeve të Europës Juglindore dhe më tej drejt Ukrainës.

Vizita e Guilfoyle në Tiranë
Sipas Wall Street Journal, në mars Guilfoyle zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar publikisht në Tiranë. Ajo mbërriti në mbrëmje dhe shoqërohej nga Marafatsos, si dhe nga drejtori ekzekutiv i Aktor Group, Alexandros Exarchou.

Ambasadorja u takua me kryeministrin Edi Rama, ku diskutimet, sipas gazetës, u përqendruan te bashkëpunimi në sektorin energjetik dhe mundësia që Shqipëria të furnizohej me gaz amerikan.

Disa javë pas këtij takimi, qeveria shqiptare mori një komunikim nga National Energy Dominance Council, një strukturë e administratës amerikane, ku sugjeroheshin kompani që mund të bashkëpunonin me Shqipërinë për blerjen e LNG-së amerikane.

Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, i tha Wall Street Journal se në komunikim përmendej konkretisht kompania amerikane Venture Global, e cila kishte lidhur më herët marrëveshje me Aktor.

Në prill, Guilfoyle u rikthye në Tiranë për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për furnizimin e Shqipërisë me LNG amerikan.

Bëhet fjalë për një kontratë 20-vjeçare, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, sipas së cilës kompania shtetërore shqiptare e gazit do të blejë rreth 1 miliard metra kub gaz në vit nga kompania amerikane Venture Global.

Marrëveshja u nënshkrua nga Venture Global dhe Aktor LNG USA, një strukturë e lidhur me Aktor Group.

Guilfoyle e prezantoi marrëveshjen si pjesë të politikës energjetike të administratës Trump, duke deklaruar se ajo do të forconte sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit.

160 mijë dollarë për lobimin
Sipas të dhënave të cituara nga Wall Street Journal, Aktor Group i ka paguar Marafatsos rreth 160 mijë dollarë nga nëntori 2025 deri në qershor 2026.

Sipas gazetës, detyra e tij ishte të krijonte lidhje me administratën e presidentit Donald Trump, Departamentin amerikan të Shtetit dhe Departamentin e Energjisë. Ky ishte angazhimi i parë i Marafatsos si lobist.

Më pas, tre kompani të tjera greke e kanë angazhuar atë, duke i paguar së bashku rreth 440 mijë dollarë gjatë këtij viti, sipas raportimit të Wall Street Journal.

Pikërisht kjo lidhje mes lobistit, Aktor Group dhe promovimit të LNG-së amerikane në Europë është në qendër të pyetjeve të ngritura nga investigimi.

Gazeta vë në dukje se, në kohën kur Guilfoyle promovonte interesat amerikane për rritjen e eksporteve të LNG-së, ajo shoqërohej në disa takime nga një lobist i paguar nga një kompani që synonte të zgjerohej në tregun europian të gazit.

Përfaqësuesit e Guilfoyle dhe Aktor Group kanë kundërshtuar çdo pretendim për veprim të papërshtatshëm. Sipas tyre, ambasadorja po vepron në përputhje me politikën e administratës amerikane për rritjen e shitjeve të gazit amerikan dhe reduktimin e varësisë së Europës nga energjia ruse./Versus.al

Poll