AKTUALITET /

Pastrimi i parave në projektet e bregdetit/ Sazani, Zvërneci dhe hija e Artur Shehut, mediat ndërkombëtare i kërkojnë informacion SPAK-ut

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK dhe të cituara në kërkesat e mediave, Shehu dyshohet se ka ndërtuar një rrjet pasurish të paluajtshme përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë mbi toka në bregdet

Shkruar nga Versus

Pastrimi i parave në projektet e bregdetit/ Sazani, Zvërneci dhe hija

Projektet e mëdha të investimeve në bregdetin shqiptar, hetimet për pastrimin e parave të dyshuara se kanë rrjedhur nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, si dhe çështja e pavarësisë së drejtësisë shqiptare përballë presioneve politike, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të regjistrit zyrtar të kërkesave për informacion për muajin korrik, disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare, mes tyre Wall Street Journal, Daily Mail, Newsweek, Tagesspiegel dhe L'Impertinent, i janë drejtuar zyrtarisht Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me pyetje lidhur me hetime dhe çështje të profilit të lartë në Shqipëri.

Në qendër të një pjese të kërkesave është emri i biznesmenit me bazë në Miami, Artur Shehu, i referuar në dokumentet zyrtare edhe me inicialet A.Sh.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK dhe të cituara në kërkesat e mediave, Shehu dyshohet se ka ndërtuar një rrjet pasurish të paluajtshme përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë mbi toka në bregdet dhe se pasuritë dyshohet se janë përdorur në skema të pastrimit të parave me origjinë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

“Wall Street Journal” kërkon informacion për “Red Notice”
Një nga mediat që i është drejtuar SPAK-ut është Wall Street Journal.

Gazeta amerikane ka kërkuar të dijë nëse autoritetet shqiptare i janë drejtuar Interpol-it për lëshimin e një “Red Notice”, ose urdhër-arresti ndërkombëtar, për Artur Shehun.

Po ashtu, Wall Street Journal ka kërkuar informacion dhe dokumente gjyqësore që lidhen me hetimet e fundit të autoriteteve shqiptare.

Interesi i gazetës amerikane lidhet edhe me zhvillimet në sektorin e investimeve në bregdetin shqiptar dhe me pyetjet që janë ngritur mbi pronësinë e tokave në zona ku janë paralajmëruar projekte të mëdha turistike.

“Daily Mail” pyet për Sazanin dhe Zvërnecin
Edhe britanikja Daily Mail i është drejtuar SPAK-ut për informacion mbi pasuritë dhe tokat që dyshohet se lidhen me hetimin ndaj Artur Shehut.

Media ka kërkuar koment zyrtar mbi raportimet se pasuritë e sekuestruara dhe tokat, për të cilat autoritetet pretendojnë se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, mund të prekin zona ku parashikohen projekte të mëdha resortesh në bregdet.

Në këtë kuadër, vëmendja është përqendruar veçanërisht te projektet e zhvillimit në Sazan dhe Zvërnec.

“Newsweek” pyet për sekuestron prej 110 milionë eurosh
Pyetje të tjera i janë drejtuar SPAK-ut nga revista amerikane Newsweek.

Media ka kërkuar konfirmim nëse hetimi ndaj Artur Shehut vijon të jetë aktiv, nëse masa e sekuestros ndaj pasurive të tij me vlerë rreth 110 milionë euro është ende në fuqi dhe nëse hetimet mund të kenë ndikim në transaksionet e tokave që lidhen me projektet e propozuara në Sazan dhe Zvërnec.

Këto pyetje vijnë në një kohë kur bregdeti shqiptar është kthyer në një prej zonave kryesore për investime të mëdha turistike, duke sjellë interes të shtuar edhe mbi historikun e pronësisë së tokave dhe burimin e kapitalit të përdorur në investime.

Interesi për mbrojtjen e SPAK-ut nga presionet politike
Interesimi i mediave ndërkombëtare nuk është kufizuar vetëm te çështja e pronave apo te emri i Artur Shehut.

Media gjermane Tagesspiegel, duke iu referuar interesit të lartë publik për projektet e investimeve në Sazan dhe Zvërnec, i ka kërkuar SPAK-ut një intervistë të drejtpërdrejtë me prokurorin përgjegjës për çështjen.

Ndërkohë, media zvicerane L'Impertinent ka pyetur zyrtarisht për ecurinë procedurale të disa prej dosjeve të profilit të lartë.

Një pjesë e pyetjeve lidhet edhe me garancitë institucionale që SPAK ka për t'iu kundërvënë ndërhyrjeve apo presioneve politike gjatë hetimeve që prekin figura dhe interesa të rëndësishme.

Përgjigjja e SPAK-ut: “Sekreti hetimor”
Përballë kërkesave të shumta nga mediat amerikane, britanike, gjermane dhe zvicerane, SPAK ka ruajtur një qëndrim të përmbajtur dhe të bazuar në dispozitat ligjore për sekretin hetimor.

Për pothuajse të gjitha kërkesat, institucioni ka dhënë përgjigjen standarde se nuk mund të bëjë publike të dhëna shtesë për hetimet në fazën paraprake.

Në përgjigjet zyrtare, SPAK argumenton se, në zbatim të kërkesave për ruajtjen e sekretit hetimor, nuk mund të bëhen me dije detaje të tjera në këtë moment, përtej informacionit që është bërë tashmë publik përmes njoftimeve për shtyp.

Kjo do të thotë se një pjesë e pyetjeve të mediave ndërkombëtare nuk kanë marrë përgjigje të detajuar për shkak të kufizimeve që burojnë nga faza hetimore e dosjeve.

Edhe inceneratorët në fokusin e mediave të huaja
Përveç dosjeve që lidhen me investimet në bregdet, mediat europiane kanë kërkuar informacion nga SPAK edhe për çështje të tjera me dimension ndërkombëtar.

Media holandeze Financieele Dagblad është interesuar për rolin e dy shtetasve holandezë të akuzuar në çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Sipas përgjigjes së SPAK-ut, dy shtetasit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa dosja ndaj tyre është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ata akuzohen për vepra penale që lidhen me pastrimin e parave dhe grupin e strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Gazet van Antwerpen në Belgjikë ka kërkuar një intervistë lidhur me ekstradimin e shtetasit E.N.

SPAK ka refuzuar kërkesën për intervistë, duke sqaruar se seanca paraprake në këtë çështje zhvillohet me dyer të mbyllura.

Bregdeti shqiptar, në vëmendjen ndërkombëtare
Kërkesat e njëpasnjëshme nga media të njohura në Shtetet e Bashkuara, Britani, Gjermani, Zvicër, Holandë dhe Belgjikë tregojnë interesin ndërkombëtar për hetimet e autoriteteve shqiptare mbi pasuritë, pronësinë e tokave dhe pastrimin e parave.

Në veçanti, projektet e mëdha turistike në bregdet, përfshirë zonat e Sazanit dhe Zvërnecit, kanë shtuar vëmendjen mbi historikun e pronave dhe mënyrën se si janë siguruar ato.

Në këtë kontekst, mediat ndërkombëtare po kërkojnë përgjigje nga SPAK-u për lidhjet e mundshme mes pasurive të sekuestruara, hetimeve për pastrimin e parave dhe zonave ku planifikohen investime të mëdha.

Ndërsa SPAK, për sa kohë hetimet vijojnë dhe dosjet ndodhen në faza ku zbatohet sekreti hetimor, ka zgjedhur të mos japë detaje përtej informacionit të bërë tashmë publik./VNA

Pastrimi i parave në projektet e bregdetit/ Sazani, Zvërneci dhe hija

Poll