Dhjetë persona janë arrestuar nga autoritetet britanike pasi një skaf që transportonte shtetas shqiptarë mbërriti në Mylor Harbour, Cornwall, në jugperëndim të Anglisë.
Policia e Devon dhe Cornwall u njoftua rreth orës 03:00 të së dielës, 27 shtator, pas raportimeve se disa persona kishin zbritur nga një varkë në port, ishin futur në një furgon dhe më pas ishin larguar nga zona.
Sipas autoriteteve, efektivët mbërritën në vendngjarje dhe arrestuan fillimisht dy shtetas shqiptarë, nën dyshimin për shkelje të ligjeve britanike të emigracionit.
Në operacion u përfshinë edhe Roja Bregdetare britanike dhe ekuipazhi i varkës së shpëtimit të Falmouth, i cili u aktivizua rreth orës 04:00 si masë paraprake.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike konfirmoi se në total janë arrestuar 10 persona, ndërsa një tjetër person, që dyshohet se është nën moshën 18 vjeç, është referuar te shërbimet sociale.
Autoritetet britanike e kanë cilësuar incidentin si një rast të pazakontë dhe të izoluar në Mylor Harbour.
Hetimi vijon dhe, për shkak të procedurave në vazhdim, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e arrestuar apo rrethanat e udhëtimit.
Ministria e Brendshme theksoi se hyrjet e fshehta të këtij lloji janë të rralla dhe se mjeti i përdorur ishte një skaf i vogël me motorë të fuqishëm, i cili transportonte një numër të kufizuar personash.
Hetimi është marrë përsipër nga Njësia për Hetimet Kriminale dhe Financiare për Uellsin dhe Jugperëndimin e Britanisë.

