10 ditë më parë transmetuam rastin fatkeq të zonjës Rajmonda Doko, një grua nga Maliqi, e cila, përveç problemeve të shëndetit mendor, po përballet edhe me një tumor në gji.
Familjarët thonë se kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Maliq dhe më pas në Korçë, por referimi i pacientes drejt Tiranës është vonuar.
Për pasojë, plaga u zgjerua dhe i zunë edhe krimba. Elvion Doko, nipi i pacientes, akuzoi zinxhirin e mjekëve, duke pretenduar se, nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, situata mund të ishte parandaluar.
Rajmonda Doko ka përfunduar e shtruar në një spital psikiatrik në Elbasan. Mjeku psikiatër tha se pacientja nuk duhej të ishte shtruar aty, si vendi kryesor i trajtimit, pasi psikiatria nuk është strukturë onkologjike dhe nuk ka pavijon për pacientë të shtruar për sëmundje tumorale.
Nga ana tjetër, mjekja onkologe në Elbasan u shpreh se gjendja e Rajmondës është tashmë shumë e rënduar dhe aktualisht nuk ka kirurg që ta marrë përsipër operacionin.
Pas transmetimit tonë, pacientja u transferua në pavijonin onkologjik, ku kreu një ndërhyrje për plagën. Një grup mjekësh, sipas vlerësimit multidisiplinar, ndërhyri për rikonstruksionin e gjirit, duke eliminuar tërësisht plagën./tvklan.al












