Po hyjmë në muajt e fundit të vitit, periudhë kur qeveria finalizon projektbuxhetin dhe paketën fiskale që shoqëron atë.
Me sytë te 2027-a qytetarët presin më shumë mirëqenie, rritje të pagave, pensioneve dhe përmirësim të shërbimeve publike. Nga na tjetër, bizneset më tepër lehtësi e mbështetje nga qeveria. Manifaktura e bëri hapin e parë duke paraqitur 6 kërkesa, njëra prej të cilave që tatimi mbi të ardhurat të nisë mbi nivelin e pagës minimale, shkruan A2.
“Përllogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga paga të nisë mbi nivelin e pagës minimale dhe që ky prag të ndryshojë automatikisht sa herë ndryshon paga minimale. Kjo masë do të shmangte rritjen automatike të barrës fiskale mbi të ardhurat e punëmarrësve si pasojë e ndryshimit të pagës minimale dhe do të kishte ndikim veçanërisht pozitiv në sektorët me intensitet të lartë punësimi”, shprehet Manifaktura Shqiptare.
Nga moslejimi i shitjeve dhe blerjeve me para të huaja, te rregullimi i tregut të akomodimit apo shtimi i subvencioneve, Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe 7 shoqata biznesi kanë 20 propozime ligjore të shtrira në katër drejtime për paketën fiskale 2027: “Biznesi ka nevojë për siguri dhe parashikueshmëri. Ndryshimet në taksa dhe detyrime ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si një biznes planifikon investimet, punësimin dhe aktivitetin e tij. Veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, ndryshimet e shpeshta dhe me pak kohë për t’u përgatitur mund të krijojnë vështirësi dhe kosto shtesë”.
Ministria është ende duke dëgjuar institucionet, bizneset apo dhomat e tregtisë. Vullneti për “kënaqje kërkesash” nuk mungon, por pa cenuar objektivat që “financat” kanë.
“Objektivat themelore të miksit të politikave fiskale e monetare 2027 synojnë një trajektore rënëse të borxhit publik duke targetuar si objektiv operativ vjetor një balancë primare së paku neutrale. Mbajtja e një niveli të investimeve publike mbi nivelin e deficitit të përgjithshëm fiskal në çdo vit dhe mundësisht mbi nivelin 5 pёr qind tё PBB. Ruajtja e stabilitetit të çmimeve, si objektivi themelor i politikës monetare, e cila targeton një normë inflacioni në nivelin 3.0 për qind”, tha Ministria e Financave.
Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit kërkojnë marrjen e masave për uljen e sasisë së parave fizike në qarkullim, hartimin e një plani lidhur me deeuroizimin apo menaxhimin e riskut tatimor sipas gjurmimit të parasë. (A2 Televizion)