SHBA, Florida i kërkon gjykatës të ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të ChatGPT për arsye sigurie

29 Shtator 2026 | 01:08

Autoritetet në Florida i kanë kërkuar një gjykate shtetërore të ndalojë OpenAI-n të zhvillojë më tej ChatGPT-në, derisa kompania të vendosë një sërë masash mbrojtëse për përdoruesit dhe publikun e gjerë.

“Mos e quani më të sigurt. Mos u shtirni sikur është njeri. Mos ua shisni më fëmijëve”, deklaroi prokurori i përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, në një njoftim të publikuar të hënën në platformën X, ku bëri të ditur nismën gjyqësore.

Uthmeier, republikan, ka shërbyer deri në vitin 2025 si shef i kabinetit të guvernatorit republikan të Floridës, Ron DeSantis.

Kërkesa për rregullimin e ChatGPT-së dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale bie ndesh me qëndrimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kundërshtuar vendosjen e masave mbrojtëse dhe i ka cilësuar paralajmërimet si “mashtrime”.

Uthmeier tha se shteti i kishte kërkuar Gjykatës së Qarkut të 10-të Gjyqësor të Floridës, në kontenë Highlands, të ndërhynte, duke u mbështetur veçanërisht te paralajmërimet e fundit të drejtorit ekzekutiv të OpenAI-t, Sam Altman, se inteligjenca artificiale përbën rrezik për publikun nëse nuk i nënshtrohet masave mbrojtëse.

Njerëzimi mund të “humbasë kontrollin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale”, deklaroi Altman javën e kaluar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai ishte së bashku me drejtuesit e kompanive rivale Anthropic dhe Hugging Face, të cilët gjithashtu u kërkuan autoriteteve të ndërhynin për të orientuar zhvillimin e industrisë.

“I kërkojmë gjykatës të bëjë atë që OpenAI nuk do ta bëjë me nismën e vet: të mbrojë familjet e Floridës”, tha Uthmeier.

Kërkesa e Floridës vjen në vijim të një padie që shteti ngriti më herët gjatë këtij viti, lidhur me ndikimin e ChatGPT-së te fëmijët dhe përdoruesit e tjerë. Në padi, autoritetet pretendonin se përdoruesit po “nxiteshin” drejt vetëvrasjes dhe se inteligjenca artificiale kishte “ndihmuar dhe nxitur sulme vdekjeprurëse”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Florida kundër OpenAI, thirrje për “frenim” të modeleve të IA dhe përjashtimin e të miturve nga ChatGPT

Prokurori i përgjithshëm i Floridës i kërkoi sot një gjyqtari të ndalojë OpenAI të zhvillojë modele të reja të inteligjencës artificiale pa mbikëqyrje të jashtme,...
21:46 | 28/09/2026

Katari do ndërmjetësojë bisedime të reja mes Iranit dhe SHBA-së

Ndërmjetësuesit e Katarit pritet të zhvillojnë takime të ndara me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në Nju Jork dhe me përfaqësuesit amerikanë, në një...
21:41 | 28/09/2026

Komplot për të sulmuar në Britani bazën ajrore amerikane? Nën hetim pesë britanikë të dyshuar

Policia britanike po heton nëse persona të lidhur me një shtet të huaj kanë qenë të përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm ndaj...
21:35 | 28/09/2026