Një 30-vjeçar shqiptar u ndalua nga policia bashkiake në Romano, Itali, pasi kërcënoi kalimtarë me thikë dhe u kap duke mbajtur dy çekiçë të mëdhenj. Ngjarja ndodhi pasditen e 18 shtatorit, pranë një biznesi dhe një stacioni autobusi ku ndodheshin edhe nxënës të shkollave të mesme. Policia mori disa telefonata nga qytetarë që raportuan kërcënimet dhe dërgoi menjëherë patrullat në zonë.
Kur mbërritën efektivët, 30-vjeçari ishte larguar, por pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan në identifikimin e tij. Ai u lokalizua pak më vonë në sheshin Papa Giovanni XXIII, ku u ndalua ndërsa mbante nga një çekiç në secilën dorë. Pas ndërhyrjes së policisë, atij iu gjet edhe një thikë me teh të palosshëm, rreth 8 centimetra i gjatë, si dhe afërsisht një gram kokainë.
Hetimet zbuluan se dy çekiçët ishin vjedhur po atë mëngjes nga një furgon në pronësi të një punëtori që po kryente punime në zonë. Përmes dëshmive dhe pamjeve të kamerave, policia rindërtoi edhe disa episode të tjera të ndodhura gjatë së njëjtës ditë, ku 30-vjeçari dyshohet se kishte sulmuar dhe kërcënuar edhe tre persona të tjerë, të cilët më pas depozituan kallëzime zyrtare.