
Pavarësisht përmasave të skandalit të zbuluar në Shërbimin Informativ Shtetëror, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se kushdo që hedh baltë mbi këtë institucion është ‘antishqiptar’.
Sipas tij, duhet bërë dallimi mes përgjegjësisë së individit dhe institucionit, ndërsa theksoi se fajet janë personale të Vlora Hysenit, ish-drejtoreshës së propozuar nga Rama.
“Të gjithë e dimë se përse u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Kryeministri Rama kishte thënë se do të mbajë një mesazh publik, ai foli për problematikën që është krijuar me SHISH. Është shqetësim institucional. Po hidhet baltë mbi institucionet e sigurisë kombëtare, një nga të cilat është edhe SHISH. Flitet për një institucion, që është partner i rëndësishëm i partnerëve tanë. Nuk është mirë që SHISH të goditet. Momenti ku ndodhet Shqipëria, sulmet dhe goditjet për institucionet nuk janë aspak të mira. Është institucion që ka qenë në hije deri tashmë. Unë po mbroj SHISH-in, që bashkëpunon me institucionet më të rëndësishme me partnerët tanë ndërkombëtarë. Fajet e individëve të caktuar nuk duhet të shkojnë për institucionin. Është antishqiptare që të goditet SHISH, sepse është institucion i ndjeshëm ndaj sulmeve. Nuk ka dokument, që institucioni të jetë duke punuar kundër interesit kombëtar.”- tha Klosi.
Ndërkohë në mesazhet e publikuara, biznesmeni në kërkim Ergys Agasi e pyeste Hysenin edhe për sigurinë e “çunave të tij” duke lënë të nënkuptohet se bëhej fjalë për veprimtari të grupeve kriminale. Ditën e djeshme, u publikua gjithashtu se Agasi lëvizte me automjetin e SHISH të cilit i ishin vendosur targat e vjedhura nga një automjet i një prokurori të SPAK. Versus.al

